Cili qytet i ka thikatarët dhe briskaxhinjët më të njohur në Ballkan

Për shpatarët e dikurshëm, argjendari Bashkim Tejeci, tregon se  atëbotë bëhej një bashkëpunim i mirë  mes  ustallatarëve të shpatave dhe argjendarëve.

Kështu siç kam njohuri unë, shpata më të njohura të komandantëve të kësaj periudhe, si në  Gjermani, Francë e deri në  Indi, ishin argjendarët prizrenas që i praronin dorëzat me filigran.

Një shpatë e këtillë gjendet edhe sot në Indi ku në muze thuhet se “Shpata është punuar në Prizren”.

Kjo tregon se dikur Prizreni ishte vend i njohur, për të mos thënë më i njohuri i zejes së shpatave dhe filigranit, tregon ai.

Mirëpo, nga i gjithë ky prodhim i madh i armëve, tani në Prizren nuk ka mbetur asnjë prodhues i shpatave, së paku as për tregun turistik.

Kurse të gjithë këto fakte edhe tashmë e studime sado që janë të shkruara copëza, nëpër fletëza historie kanë mbetur të heshtura.

Kurse  ende në qytet ka dhe vazhdon të tregohet se ishin ato familje prizrenase që e mbajnë mbiemrin Shpata, apo Jatagani dhe ishin prodhues të njohur të shpatave të Prizrenit.

Derisa plaku Adnan Morina tregon se ka dëgjuar nga babai i tij i cili ishte në Siri si jesir/rob lufte/,  dhe ishte kthyer nga atje, tregon se atje kishte pa se shumë nga kapedanët e atjeshëm shpatat i kishin pas nga Prizreni.

Tash kjo zeje ka mbetur vetëm një histori e këtij qyteti.

Dikur Prizreni ka pasur dhjetëra dyqane e punëtori të thikave e briskaxhinjë, por tash ato mbeten vetëm nga një punëtori, një e thikave, ajo e Xhemajli Hotit, i cili vazhdon të prodhojë thika dhe briskaxhiu Shadan Shilik.

Thiktari Hoti nuk dëshiron të flas shumë për media, sepse thotë se kjo zeje po shkon drejt shuarjes edhe për faktin se s’kemi asnjë subvencion.

Edhe puna domosdo ka ra për shkak se prodhuesit e botës kanë vërshuar Prizrenin dhe se çmimet e tyre janë të ulëta. Kjo neve assesi nuk na jep mundësi të punojmë.

Briskaxhinjtë po zhduken dhe kjo tanimë është e ditur botërisht. Prizreni, dikur qendër e njohur ballkanike, tani është duke u shndëruar në një qytet të zakonshëm.

Dikur në Prizren kishte 173 briskaxhinjë, kurse në vitin 1943 briskaxhinjtë e Prizrenit patën themeluar kooperativën e parë në Ballkan.

Ata ishin ndër zejtarët e parë të këtij qyteti, ndërsa për “esnafllëkun” e tyre dëshmon vetë çarshia e vjetër e shekullit XVI.

Brisakxhinjtë në Prizren u shuan kur me dekret mbretërie u ndalua prodhimi i armëve, gjegjësisht
i shpatave të njohura për kohën e tyre. Të gjithë ata filluan pastaj punën e brisakxhinjëve.

Dikur konsiderohej i pasur prizrenasi për faktin se çfarë brisku mbante.

Selman Gashi, 94 vjeçar, pohon se dikur prizrenasit dinin të shfrytëzonin më së miri bagëtinë.

Së pari e shfrytëzonin mishin e tyre, kurse brirët e bagëtive, si të vjetave, lopëve apo buajve e buallicave i shfrytëzonin për të bërë briskt, mishin e kokës për një ushqim special shekullor që e quanin paqë, lëkurën e përpunonin e regjnin.

Në Prizren, si i vetmi qytet në Kosovë që e përpunon lëkurën edhe sot e kësaj dite, është lagja me të njëjtin emër “Tabahane”.

Për briskun përdoreshin brinjët e dashit, buallit, kaut, por në raste të veçantë edhe briri i kaprollit.

Briskangjinjtë e lashtë të Prizrenit prodhonin shumë lloje brisqesh, po përmendim disa prej tyre: brisk shartimi, brisk për mësysh, brisk për brinjë, për bostan, dardhë, brisk xhepi, brisk shkodran që paraqiste dekorime dhe ishte për qytetaret më të pasur, brisk Shkupi e kështu me radhë.

Brisqet emrin e merrnin më shumë për shkak të shërbimit që kryenin ata.

Në gjysmën e shekullit XIX në Prizren dalloheshin këta brisakxhinjë: Jakup Goga, Osman Brina, Jahja Skajo, Shuaip Biçakçi, Xhelo Nane, Shaban Nakqe, Nuredin Shiliku, Refki Dauti, Jahaja Kasimbeg, Sylejman Gashi, Haki Luma, Beqo Kaqamaku, Qazim Kusho, Ahmed Topus, Ahmed Gorali, pastaj
vëllezërit Ukallo, Nijazi Shipkovica, Bajram Guzhda, Kadri Qyse, Isa Maqiteva, Ramiz Çato, Aqif Topoçi e shumë të tjerë./qendrapress