Ti nuk vjen më…!
Nexhat Buzuku
/Vëllait tim Rifatit, i cili ndërroi jetë me 5 dhjetor 2022, në Vjenë të Austrisë, aty ku jetonte e punonte prej vitit 1988. Aty do të prehen eshtrat e tij./
Rrugët na janë ndarë, ti në pëtjetësi e unë në udhëtim…
Ti ike shpejt, më shpejt se perendimi i diellit, e ne që prisnim të vije pas pak ditësh, kemi mbetur të pikëlluar e në mërzi të përhershme.
E dijmë se ti nuk je më në mesin tonë, por nuk pajtohemi kurrë se na mungon butësia yte, çiltëria yte, humori yt, fjala yte…!
Ti më nuk troket në derë, as nuk dëgjohet zëri yt “o Nexhi a jeni zgjuar…” dhe hapej dera e shtëpisë…
Kurrë nuk vinte duarthatë, plot qeset e çantat me ushqime e gjësende…
Ai na ka ndihmuar gjithmonë…
Më nuk e dëgjoj zërin e tij të më lajmëronte se do nisej këtë ditë për në Gjilan.
Në mbrëmje e hapja portën e oborrit, e ai në mëngjes arrinte në oborr.
Gëzoheshim kur mbërrinte në shtëpi. Edhe ai çmallej me ne duke bërë llafe pafund.
Sa shumë kujtime na ka lënë, por ai na mungon përgjithmonë.
Me 5 dhjetor ai u largua befas, për t’u bërë banor i përjetësisë, e unë vazhdoj udhëtimin andej nga çojnë të gjitha udhët dhe takohen në një vend të përhershëm!
Më fal vëlla nëse ndonjëherë nuk e kam kuptuar peshën e rëndë të jetës në dhe të huaj, larg familjes.
Ti më nuk na troket në derë, por kujtimi për ty është i përjetshëm.
Gjithmonë kemi me të kujtue, se përtej një vëllai ishe njeri.
Edhe jeta ime nuk është më siç ishte…
Lamtumirë vëllai im, Rifat!