“Tkurret” skema sociale, familjet në nevojë po ikin nga Kosova
Sipas një raporti të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, numri i familjeve përfituesve të asistencës sociale ka rënë nga 26 mijë sa ishin në vitin 2022, në 21 mijë familje.
Drejtori i Departamentit të Politikave Sociale, në Ministrinë e Financave, Mentor Morina, ka një shpjegim për tkurrjen e numrit të familjeve përfituese të asistencës.
“Kemi pasë një ulje të përfituesve sidomos në këto dy vitet e fundit, edhe pse jemi të vetëdijshëm që gjatë vitit 20/21, kemi pasë pandemisë COVID e cila ka ndikuar drejtë për së drejti, të kemi numër më të madh të familjeve por nder vite numri i përfituesve të asistencës sociale është në rënie… nga viti 2022 disa kritere disa vendime të cilat kanë qenë të pezulluara për verifikim në terren kanë ndikuar që ky numër realisht të shkonë në rënie për shkak të kontrolleve dhe verifikimeve që kemi vazhdu…”, tha Morina.
Në anën tjetër, sipas drejtorit të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vehbi Mujku, skema sociale është zvogëluar për shkak të largimit të shumë familjeve nga Kosova. Ndërkaq sipas tij, ligji në fuqi ua pamundëson një numri të madh familjesh në nevojë, që të mos përfitojnë nga asistenca sociale.
“Edhe gjatë këtij viti kemi një numër të madh të rasteve të cilat janë larguar nga skema e ndihmës sociale dhe për momentin në të gjithë territorin e komunës së Prishtinës i kemi 1058 familje me rreth 40.000mijë anëtar, kjo është një befasi sepse në vazhdimësi kemi pasur numër prej 1700-1800 familjeve dhe një rënie kaq e madhe e numrit të familjeve me asistenca sociale na ka shtyrë që të mendojmë dhe të analizojmë se pse po ndodhë gjithë kjo situatë dhe kemi ardhur në përfundim që ka një ikje masive të qytetarëve, të rinisë”, deklaroi Mujku.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, komuna e Mitrovicës vazhdon të prijë me numrin më të madh të familjeve që përfitojnë nga asistenca sociale. Për skemat sociale nga buxheti i Kosovës ndahen rreth 35 milionë euro në vit./21

