Trajkoviq: Me marrëveshjen e Brukselit, është mbyllur qendra e regjistrimit të automjeteve në Rashkë

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka komentuar marrëveshjen për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

Trajkoviq përmes një postimi në Twitter, ka thënë se me këtë marrëveshje mbyllet qendra e regjistrimit të automjeteve në Rashkë.

Sipas saj, targat ilegale ekzistuese “KM” të lëshuara nga Serbia do të jenë në qarkullim derisa të skadojnë.

“Zyra për regjistrim dhe ri-regjistrim të automjeteve në Rashkë është MBYLLUR me këtë marrëveshje në Bruksel. Nuk ka më regjistrime të reja me etiketën KM për automjetet e reja. Dhe tabelat ekzistuese KM “ruhen” – derisa të skadojnë”, ka shkruar Trajkoviq.

Kosova dhe Serbia mbrëmë në Bruksel kanë arritur marrëveshje për targat, ku sipas kësaj marrëveshje Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës, kurse Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.