Tre asambleistë të LDK-së votojnë për pushtetin e ri të PDK-së

Agron Përçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku, janë tre asambleistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, që nuk iu bindën urdhërave të partisë dhe votuan pro konstituimit të Kuvendit Komual me kryetar komune, Ferit Idrizin e PDK-së.

Ky votim i tyre, për pushtetin e rinj në Vushtrri – atë të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk u ka pëlqyer disa zyrtarëve të lartë të LDK-së në Prishtinë dhe Vushtrri.Ata janë revoltuar me veprimin e tre asambleistëve të tyre, duke i paralajmëruar se do të merren edhe masa ndaj tyre. Madje, po flitet që të tre asambleistët: Agron Përçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku, edhe mund të përjashtohen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Gazeta Blic, ka tentuar që të marrë një përgjigje nga ana e ish-kryetarit të Vushtrrisë nga radhët e LDK-së, Xhafer Tahiri, por që komunikimi me të ka qenë i pamundur.Në anën tjetër, njëri nga këta tre asambleistë: Agron Përçuku, në një shkrim në rrjetin social “Facebook”, ka arsyetuar veprimin e tij.Ai ka thënë se nuk ka mundur të dalë kundër vullnetit të qytëtarëve të Vushtrrisë – vullnet i cili ka mundësuar fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës, në këtë komunë.

Përçuku në mes tjerash, në arsyetimin e tij, thotë se ai do të bëjë një opozitë konstruktive në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë.