Tri ditë pas rikthimit në punë, suspendohet drejtori i ATK-së
Tri ditë pasi u rikthye nga shkarkimi si drejtor i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, është suspenduar sërish nga kjo pozitë.
Në një përgjigje për Telegrafin, Ministria e Financave tregon se Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë ka marrë vendim që Murtezaj të pezullohet nga detyra e drejtorit të përgjithshëm.
“Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, me Vendimin 0007/2021, të datës 11/01/2021, pas shqyrtimit të kërkesës së datës 31/12/2020 me Nr. Prot. 2367 për inicimin e procedurës disiplinore kundër zt. Ilir Murtezaj, drejtor i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, ka marrë vendim që zt. Ilir Murtezaj të pezullohet nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës deri në një vendim tjetër”, thuhet në përgjigjen e MF-së.

