Në maj pritet të arrijnë mbi 76 mijë doza të tjera të vaksinës

Numër të madh të të infektuarve me virusin SARS CoV-2 pati gjatë muajve të fundit. Madje në ditët që lamë pas numri i të infektuarve shkoi edhe mbi 900 brenda një dite.

Kësisoj rreziku i përhapjes edhe më të madhe është ende aktiv duke lënë të rrezikuar kështu thuajse gjithë qytetarët. Gjatë ditës së djeshme nga Instituti Kombëtarë Shëndetësorë të Kosovës u konfirmuan edhe 680 raste të reja me COVID-19 ndërsa humbën jetën nëntë persona.

Por a po rrezikojnë këto shifra shkuarjen në mbyllje totale të vendit.

Lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë të cilët kanë deklaruar se çfarëdo mase që do të merret, të njëjtat do të komunikohen me kohë për publikun, duke mos dashur të qartësohen më tepër.

Gjatë ditës së djeshme Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia pati një takim virtual me kryetarët e komunave të vendit lidhur me vendosjen e masave të reja anti-COVID, ndoshta edhe shkuarjen në mbyllje të përgjithshme për 12 ditë si fillim.

Por një ide e tillë duket se nuk gjeti përkrahje tek këta të fundit dhe në bazë të raportimeve të djeshme u tha se përfaqësuesit e komunave veçse kundërshtuan këtë.

Por në propozimin e fundit të bërë nga Ministria e Shëndetësisë u tha se do të ketë mbyllje të restoranteve, kafiterive dhe qendrave për ushtrime të njohura si (fitnes). E kundër këtij propozimi kanë dalë tashmë edhe Shoqata e Gastronomëve, të cilët deklaruan se nuk pranojnë mbylljen totale për 12 ditë radhazi.

Duhet përkujtuar që në Kosovë veçse është duke u bërë vaksinimi i stafit shëndetësorë duke vazhduar më pas me një numër të konsiderueshëm të të moshuarve me vaksinën anti-COVID të llojit ‘AstraZeneca’.

Derisa vaksinimi është duke vazhduar nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se vetëm gjatë dy ditëve të para pati 800 vaksinime.

“Dy ditët e para, ka pasur afër 800 të vaksinuar. UNICEF ka paralajmëruar se në fund të prillit ose të majit COVAX do të alokojë edhe 76 mijë e 800 doza të tjera të vaksinës.Përtej këtyre, po punohet që të sigurohen edhe doza të tjera përmes partnerëve e prodhuesve të tjerë”, u tha në përgjigjen e MSH-së.

E shifrat e fundit tregojnë se që nga e marta e javës së kaluar deri mbrëmë në orët e vona janë vaksinuar 2 mijë e 419 punëtorë shëndetësorë në të gjithë Kosovën.

“Vijueshmëria e numrit që ne aktualisht kemi trajtuar deri më tani ka shkuar në rregull dhe deri më tani në total numri ka arritur 1 mijë e 798 do të thotë 1800 persona të vaksinuar në qendrën 1 tetori me një frekuencë nga dita e sodit që kishin 38 persona personel shëndetësorë të vaksinuar. Ndërsa nëse marrim dhe shtojmë edhe numrin e të vaksinuarve nëpër këto 7 regjione që aktualisht është duke u procesuar vaksinimi edhe në ato qendra 39 kanë qenë sot të vaksinuar por në total që numri i tyre ka shku afër 621, dhe në total nëse i mbledhim qendrën ‘1 Tetori’ dhe pjesën e regjioneve që kemi 7 sillet afër tek 2 mijë e 419 të vaksinuar”, tha koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi.

“Kosova synon që sivjet të imunizojë rreth 60 deri në 70% të popullatës, por kjo varet nga mundësitë për të siguruar vaksina kundër COVID-19. Vaksinimi është mënyra më e mirë, krahas masave të tjera, për të parandaluar përhrapjen e mëtejme të virusit”, u tha në përgjigjen e MSH-së dhënë për lajmi.net.

Ndryshe tani për tani në Kosovë janë gjithsej 14 mijë e 307 raste aktive të të infektuarve me koronavirus ndërsa kanë humbur jetën 1 mijë e 915 qytetarë. Ditë më parë ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj deklaroi se ka marrë konfirmim se në muajin qershor në Kosovë pritet të arrijnë edhe 100 mijë e 620 doza të vaksinës anti-COVID, të llojit Pfitzer.