Trump dënon dhunën, premton tranzicion të qetë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i përballur me kërcënimin e gjykimit të dytë dhe me thirrjet për largimin e menjëhershëm nga zyra, foli me një ton pajtues të enjten mbrëma, duke dënuar dhunën që ka ndodhur më 6 janar në Kongres dhe duke u zotuar se do të sigurojë një tranzicion të qetë tek administrata e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Pas më shumë se dy muajsh refuzimi për të pranuar fitoren e Bidenit dhe duke u zotuar se kurrë nuk do të pranojë humbjen, Trump tha se tani që Kongresi i ka certifikuar rezultatet e Kolegjit Zgjedhor, “administrata e re do të inaugurohet më 20 janar” dhe se “fokusi i tij tani kthehet në sigurimin e një tranzicioni të qetë dhe të rregullt të pushtetit”.

Në video-mesazhin e incizuar, Trump tha se është koha “për të vazhduar me punët e Amerikës” dhe se momenti “bën thirrje për shërim dhe pajtim”, transmeton REL.

Trump adresoi gjithashtu dhunën që ndodhi në Kongres, duke e cilësuar atë si një “sulm të neveritshëm” që ndoti selinë e demokracisë amerikane dhe e “zemëroi” atë.