Trump testohet për koronavirus, priten rezultatet
Presidenti Donald Trump bëri të ditur se të premten në mbrëmje kishte kryer testin për koronavirus.
Zoti Trump i bëri komentet gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë gjatë së cilës u publikuan të dhënat e fundit mbi situatën e krijuar në vend si rezultat i pandemisë dhe ecurisë së disa masave të marra në kuadër të shpalljes së emergjencës kombëtare.
Mbrëmë u zbulua se katër anëtarë të një delegacioni brazilian që darkuan me Presidentin Trump fundjavën e kaluar në Mar-A-Lago kanë rezultuar të gjithë pozitivë me koronavirus.
Presidenti Trump u pyet nga gazetarët nëse po tregohej egoist duke mos u testuar.
“Nuk kam thënë se nuk do të testohem… Me të gjitha gjasat, po… Së shpejti… Po punojmë për një axhendë“, u përgjigj ai.
Por më vonë, pas kësaj deklarate mjeku personal i presidentit qarkulloi një letër ku thuhej se zoti Trump ka rrezik të ulët për t’u prekur nga virusi pasi ndërveprimet e tij me zyrtarët brazilianë ishin të kufizuara dhe se ato ndodhën përpara se ata zyrtarë të shfaqnin ndonjë simptomë.
Por të shtunën ishte vetë presidenti Trump që njoftoi lajmin se të premten në mbrëmje ai kishte kryer testin për koronavirus./VoA


 
 
						 
						