Tuzi e Malësia protestojnë sot për vrasjen e Sheiles 19-vjeçare

Në Tuz sot protestohet para policisë për rastin e 19-vjeçares Shejla Bakisë, e cila më 30 shtator u vra mizorisht në oborrin e shtëpisë nga Ilir Gjokaj.

Protesta organizohet në shenjë mbështetje të familjes Bakija dhe për të kërkuar drejtësi për vrasjen e vajzës së tyre, sepse vrasësi ende gjendet në liri.

Protesta përkrahet nga familja e Shejlës, e po ashtu pritet mbështetje e madhe nga banorët e Malësisë.

Ndaj këtij krimi makër ka reaguar edhe modelja shqiptare me famë botërore, Emina Cunmulaj, e cila thotë se vajza e kishte denoncuar vrasësin, por gjykata nuk ka marrë masa për ta parandaluar vrasjen,

“Pse viktima e denoncoi në polici disa ditë përapara se t’i merrte jetën dhe gjykatësi nuk bëri asgjë?” – pyet ajo.

Shejla Bakija, 19-vjeçe, nga Tuzi i Malit të Zi është ekzekutuar nga bashkëshorti i saj. Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e babait të viktimës. Plumbat i kanë marrë jetën edhe gjyshes së saj, ndërsa babai ka mbetur i plagosur. Autori Ilir Gjokaj është ende në arrati.

Ngjarja ka sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale. Qytetarët e Malit të Zi kanë bërë thirrje për protesta ditën e sotme në orën 12:00, pas vrasjes së 19-vjeçares shqiptare, Sheila Bakija, nga partneri i saj, me breshëri armësh në Tuz.

“Çohu malësi në këmbë se nuk kemi bija me na vra. Çohu se sot është e dikujt tjetër, nesër mund të jetë në derën tënde”, është një nga thirrjet për protestë.

Ngjarja tragjike ndodhi dy ditë më parë, ku autori Ilir Gjokaj ka shkuar në banesën e familjes së Sheila Bakijas, duke qëlluar me breshëri arme këdo që i ka dalë përpara.