Hoxhaj: Keqmenaxhimi i Qeverisë me arsimin në pandemi, po ia humbë Kosovës një gjeneratë

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha sot se mësimi në distancë në asnjë formë nuk e zëvendëson procesin e rregullt mësimor, ndërkaq sipas tij, keqmenaxhimi i Qeverisë me arsimin në pandemi, po ia humbë Kosovës një gjeneratë dhe kjo është fatale për shoqërinë.

Hoxhaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për arsimin gjatë kohës së pandemisë tha se vendi po e humb një gjeneratë të tërë në arsim për shkak të pandemisë.

Ai tha se Kosova tri herë ka humbur gjeneratat në arsim.

“Në 30 vitet e fundit, tre herë radhazi na është përsëritur kjo. Në fillim të viteve të 90-ta, derisa kur kaluam dhunshëm në sistem paralel, në periudhën e luftës për shkak të luftës më 1998-1999, dhe tash në kohë të pandemisë, 2020-2021. Imagjinoni një qytetar që fillimisht ka humbur hapin në shkollë fillore, pastaj në të mesmen, ndërsa tash, po e humbin hapin edhe fëmijët e tij. Kjo është një rrethanë tragjike për familje dhe një popull, të cilën kjo qeveri nuk po e kupton dhe as që do ta kuptojë”, tha ai, raporton Telegrafi.

Sipas tij, 25 për qind ka rënë të nxënit e mësimit gjatë pandemisë në vendet e Ballkanit perëndimor, e disa vende shkon deri 40 për qind.

“I mbyllët shkollat pa plan, nuk patën kontroll mbi situatën. Pas qeverisë Kurti, qeveria Hoti filloi mësimin me shumë vonesë dhe ishin vetëm disa masa mbrojte, si maskë, e dezinfektim. Qeveria nuk kanë paraparë për dështimin e procesit mësimor. Nuk e dinë sa shkolla të Kosovës në cilët skenar kanë qenë, A, B apo C”, tha ai.

Sipas kreut të partisë opozitare deri tani është parë qartë se qeveria Kurti nuk ka mendim politik, as mendim strukturor, as mendim substancial për të menaxhuar arsimin në pandemi, pasi asgjë nuk thuhet për këtë në programin e qeverisë.

“Duhet të na ofroni politikë të qartë çka do të bëni për arsim në vitin e ardhshëm shkollor pasi humbjet nga pandemia janë të mëdha”, tha kryetari në detyrë i PDK-së.