Arrestohet në Serbi një person nga Lipjani

Një person nga Lipjani është arrestuar në Serbi pasi në veturën e tij u gjetën 41 kilogramë marihuanë në vendkalimin kufitar Batrovci.

Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

“Anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Administrata e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me anëtarët e Drejtorisë së Policisë Kriminale dhe Departamentit të Policisë në Novi Sad, sekuestruan më shumë se 41 kilogramë marihuanë në vendkalimin kufitar Batrovci dhe arrestuan B.B. (1986) nga Lipjani për shkak të dyshimit të bazuar se ai ka kryer veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Pas inspektimit të furgonit, me targa sllovene, të drejtuar nga i dyshuari, policia gjeti drogën në 73 pako në një bunker të bërë enkas për këtë.

I dyshuari u ndalua deri në 48 orë dhe ai do të sillet në zyrën e prokurorit kompetent, së bashku me një kallëzim penal.