U pyet pse Liburn Aliu u la jashtë listës së deputetëve, ky është reagimi i Mimoza Kusari-Lilës

Në konferencën e mbajtur sot nga Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, është pyetur edhe për listën e deputetëve të këtij subjekti politik për zgjedhjet e 9 shkurtit, shkruan Gazeta Infokus.

E pyetur se pse u la jashtë kësaj liste të deputetëve, ministri aktual i Ministrisë së Infrastrukturës, Liburn Aliu, Kusari-Lila ka thënë se pyetja për këtë duhet të bëhet në adresë tjetër dhe se si kryetare e Alternativës mund të flasë vetëm për pesë emrat që partia e saj ka në listën e VV-së për deputetë.

“Siç e dini në listën për zgjedhjen e 9 shkurtit te vitit 2025 ne listën fituese Lëvizja Vetëvendosje është bashkë me Partinë Guxo dhe Alternativën, të cilën e përfaqësojë unë në aspektin politik dhe mund të më pyesni vetëm për 5 emra që kam propozuar në atë listë për pjesën tjetër nuk mund të përgjigjëm dhe të përgjigjet mund të i gjeni diku tjetër”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Ndryshe kjo konferencë u thirr nga partia në pushtet për të reaguar Partisë Demokratike të Kosovës që sot i dërgoi 16 ligje në Gjykatën Kushtetuese.

Këto ligje sipas shefit të grupit të PDK-së, Abelard Tahiri, të miratuara në seancat e mbajtura më 5 dhjetor 2024, duke i kontestuar ato për shkelje procedurale dhe njërën prej tyre edhe për shkelje të përmbajtjes.

Tahiri tha se këto seanca, që shënuan një rekord të zi parlamentar, kanë dhunuar rendin tonë kushtetues, duke cenuar rolin, funksionin dhe mandatin e deputetëve, komisioneve parlamentare dhe vetë Kuvendit.