U vetëvra në spitalin e Covid , familjarët kërkojnë drejtësi

Mes dhembjes dhe lotëve është përkujtuar buzë detit 30-vjetori i lindjes së Xhino Koços, të riut durrsak që i dha fund jetës, gushtin e kaluar, në rrethana ende të paqarta për familjarët dhe të afërmit e tij në spitalin Covid 2 në kryeqytet.

Në mënyrë simbolike, 30 pëllumba dhe tollumbaca të bardhë u lëshuan drejt qiellit në një përshëndetje pakthim dhe në homazh të jetës së re të Xhinos, që u ndërpre në mes, ndërsa sipas mjekëve, ishte drejt përmirësimit dhe do të dilte nga spitali.

Shumë pikëpyetje pritet të zbardhen nga hetimet e prokurorisë, ndërsa nëna, familja, si dhe shoqëria kërkojnë drejtësi për Xhinon.

”Ne po shpresojmë shumë që drejtësia të na nxjerrë në pah Xhinon që kemi njohur ne. Atë që nuk ishte në depresion dhe ishte gjithnjë i lumtur, me shpresë dhe që na jepte dhe neve shpresë.”

”Ai nxirrte në pah më të mirën e njeriut që afronte pranë. Xhino ishte një qytetar model. Një shok i pashok.”

”Xhino kishte energji të pashterur për jetën, energji pozitive. I palodhur dhe kishte dëshirë për të jetuar më shumë sesa ne që jemi këtu për të folur. Duke e njohur personalisht mendoj se diçka tjetër ka pas atij akti që është shumë i vështirë për ta kujtuar, po në një ditë si kjo dua që Xhino të prehet i qetë. Prandaj kërkojmë që nëse diçka tjetër, qoftë pakujdesi e mjekëve apo neglizhencë të dalë në pah, që Xhino të gëzohet e jetë i lumtur aty ku ndodhet.”

Top Channel