Uji u zhduk pasi fshatarët vranë kaun e zi

Gryka e Karadakut njihet për legjenda të shumta dhe të llojllojshme, shkruan portali mediafokus.info

Këtu tregohen legjenda për qypat e lirave, për ujin e syrit, për kaun e zi, dyluftimet e demave, për liqenin, për kroin  e ilaçit, për varrin e Ajshes e për shumëçka tjetër.

Për të gjitha këto ngjarje, banorët kanë ndërtuar rrëfime interesante, që vazhdojnë të tregohen edhe në ditët e sotme.

Legjendat, mbase janë karakteristikë e zonave që janë shquar për inteligjencë popullore.

I tillë është edhe rrëfimi për liqenin që kishte shteruar ditën kur kau i zi ishte vrarë nga fshatarët.

Në afërsi të fshatit Sefer, sipas rrëfimeve, dikur kishte ekzistuar një fushë e gjerë, me një liqe të bukur në mes, ku pinin ujë bagëtia dhe freskoheshin demat e lodhur nga dyluftimi që bënin mes vete.

Legjenda thotë se herë pas here në liqe shfaqej një dem i zi, trupmadh që tmerronte banorët kur e shihnin, ndërsa kafshët nuk guxonin t`i afroheshin ujit.

Për të shpëtuar nga ky ankth, banorët e kishin vrarë demin e zi një ditë dhe ai, duke u fundosur, e kishte mbyllur grykën e liqenit, me trupin e tij të madh.

Prej asaj dite, liqeni ishte tharë pikë për pikë.

Ujët, për habi të banorëve, kishte shpërthyer disa metra më poshtë, mbi fshatin Pidiq.

Ky vend u quajt “Vrella e Pidiqit”, që në popull njihet edhe si kroi i ilaçit.

Rreth këtij burimi janë krijuar rrëfime të ndryshme./Mediafokus/