“Unë u flas të gjithëve në mënyrën e njëjtë, pavarësisht nëse është pastrues ose president…’
Mjeku Basri Lenjani, në bazë të një vendimi të Bordit Drejtues, nga nesër nuk do jetë drejtor i Klinikës Emergjente të QKUK-së. Njoftimin e ka dhënë vetë ai, duke paralajmëruar procedurë ankimimi, meqë konsideron se kishte ndikim politik.
Atij i ka dalë në krah përmes një letre dr Nehat Baftiu, i cili e inkurajon dr Lenjanin të vazhdojë të mbajë kokën lart sepse kontributet e tij janë të pamohueshme.
E, dr Lenjani, në vend të falenderimit, ka cituar Albert Ajshtajnin: ‘Unë u flas të gjithëve në mënyrën e njëjtë, pavarësisht nëse është pastrues rrugësh ose president universiteti’.
Postimi i plotë:
Për mikun tim, Prof.Basri Lenjani
Në momentet që u njohëm vërejta tek ju ndjenjën e humanitetit, ndershëmrisë, por mbi të gjitha profesionalizmit në fushën e emergjencave mjekësore dhe njohurive të përgjithshme në mjekësi.
Nise punën si i ri, por me plot vullnet dhe entuziazëm për të shtyrë para proceset. Me punë, angazhim dhe përkushtim arritët të ngrisni nivelin e emergjencave mjekësore, duke kontribuar në edukimin e brezave të tërë ne fushën e emergjencave dhe reanimimit.
Ju vutë themelet e zhvillimit të emergjencës mjekësore në nivel kombëtar, falë jush, sot spitalet e Kosovës e kanë zhvilluar emergjencën mjekësore. Trajnuat me qindra mjekë dhe infermierë për emergjenca mjekësore. Ishit dhe jeni mentor i shumë mjekëve gjatë specializimit, poshtu ndatë dhe vazhdoni të ndani diturinë për studentë.
Jeni shembull se si, me punë e më shumë sakrificë, rezultatet arrihen.
Juve ju hoqen dhe eleminuan padrejtësisht nga menaxhimi i Klinikës Emergjente, ku për gati 20 vjet dhatë shumë kontribut, por asnjëherë nuk mundën dhe nuk do të mundën të ju kontestojnë kontributin, punën, arsimimin dhe përkushtimin që tregoni.
I nderuar mik, prof. Lenjani, mbani kryet lartë, vazhdoni të kontribuoni në zhvillimin e mjekësisë, sepse juve nuk do të mund të ju ndalë askush.
Ditë të mira do të vijnë dhe padyshim edhe kontributi do të vlerësohet. Uroj të keni shëndet të plotë dhe të vazhdoni suksesshmëm rrugëtimin tuaj.
Sinqerisht, Prof. Assoc. Dr. Nehat Baftiu

