Universiteti “Kadri Zeka” hap konkurs për studimet bachelor dhe master

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka hapur konkursin  për pranimin e studentëve të rinj, në nivelin bachelor dhe master.

Në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2020/2021, do të regjistrojë 780  studentë të rregullt në nivelin bachelor, 93 prej tyre do të nga komunitet.

Në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHT-i, mund të pranohen edhe kandidatët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja 2% për secilin departament apo program të fakulteteve veç e veç, po ashtu 2 % e kandidatëve nga Shqipëria dhe Maqedonia, kurse nga Mali i Zi – 1 % e kandidatëve.

Universiteti do t’i ketë në konsideratë në mënyrë të veçantë edhe kandidatët me nevoja të veçanta të cilët e kalojnë pragun e provimit pranues.

Të drejtë pranimi në Universitetin  “Kadri Zeka”  kanë të gjithë kandidatët kosovarë, të cilët e kanë përfunduar me sukses shkollën e mesme në Kosovë apo jashtë Kosovës dhe e kanë diplomën për shkollimin e kryer.

Kandidatë të cilët shkollimin e mesëm e kanë mbaruar jashtë Kosovës dhe me rastin e paraqitjes në konkurs, duhet të verifikohet njohja e institucionit shkollor në bazë të listës së MASHT-it, e cila u dorëzohet të gjitha njësive akademike. Kandidatet te cilët kane diploma jashtë Kosovës duhet ta bëjnë nostrifikimin e tyre në MASHT.

Paraqitja e dokumenteve zgjatë prej datës 21.09.2020 deri më 30.09.2020 nga ora 9.00 deri në orën 16.00 në shërbimet për studentë të fakulteteve përkatëse (dokumentet do të pranohen çdo ditë me përjashtim të dielave).

Provimi pranues do të mbahet të premten, më datë 02.10.2020 për Fakultetin Juridik, Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetin e Shkencave Aplikative. Kurse për Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin Ekonomik provimi pranues do të mbahet të shtunën më 03.10.2020.

Koha e saktë e mbajtjes së provimit, lista e kandidatëve dhe numri i sallave do të publikohen në ueb faqe të Universitetit të enjten më 01.10.2020.

Shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet, më së voni, deri të martën datë 6 tetor 2020 në fakultetet përkatëse si dhe në ueb-faqen e universitetit.

Njëherësh, Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, ka hapur konkurs edhe për studimet pasdiplomike – MASTER, për vitin akademik 2020/2021, ku do të regjistrojë 100  studentë të rregullt, për programet  E-Qeverisja dhe  programin Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike.

 Universiteti do të regjistrojë deri në 12% , studentë të rregullt nga komunitetet jo shumicë.

Në studimet postdiplomike-master, mund të pranohen edhe kandidatët nga Lugina e Preshevës, Shqipëria dhe Maqedonia, ku numri i tyre  do të jetë 2% studentë të rregullt, ndërsa nga Mali i Zi – 1% e kandidatëve, për secilin departament apo program të fakulteteve.

Paraqitja e dokumenteve zgjatë prej datës 21.09.2020 deri më 30.09.2020 nga ora 9.00 deri në orën 16.00. (dokumentet do të pranohen çdo ditë me përjashtim të dielave).

Provimi pranues do të mbahet të shtunën më datë 03.10.2020.

Detajet lidhur me kohën e mbajtjes së provimit pranues do të shpallen në ueb faqen e universitetit të premten më datë 02.10.2020.

Shpallja e rezultateve preliminare të provimit pranues do të bëhet, më së voni, deri më të martën më 06.10.2020 në Fakultetin Juridik dhe në ueb-faqen e universitetit.

Rezultatet përfundimtare pas ankesave do të publikohen më 09.10.2020./Mediafokus.info