UPGJ me katër Prorektorë të rinj, tre prej tyre femra
Këshilli Drejtues i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, udhëhequr nga kryesuesja Liza Rexhepi, në bazë të propozimit të ushtrueses së detyrës së Rektores Fitore Malaj dhe pas njoftimit të Senatit, zgjodhi ushtrues detyre katër prorektorët e UKZ-së.
Detrina Alishani, është zgjedhur prorektor për mësimdhënie dhe çështjeve të studentëve, Arben Sahiti – prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Lindita Loku – prorektore për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore dhe Voglushe Kurteshi është zgjedhur prorektore për Zhvillim Akademik dhe Cilësi.
Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe miratoi njëherësh edhe një sërë çështjesh të rëndësishme për funksionimin dhe zhvillimin e universitetit, ndër të cilat, Plani i Veprimit Institucional për periudhën gusht 2026 – tetor 2027.
Me zgjedhjen e katër prorektorëve, Universiteti synon të forcojë qeverisjen akademike dhe të avancojë proceset e mësimdhënies, kërkimit shkencor, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit institucional.

