Uran Ismaili: Këta hapa duhet ndërmarrë urgjentisht

Ish-ministri Uran Ismajli, sekretar i Përgjithshëm i PDK-së, vlerëson se Qeveria e ka neglizhuar marrjen e masave të rrepta, duke lejuar qarkullimin e lirë të personave që kanë ardhur nga vendet me rrezik të lartë, me coronavirus dhe siç thotë ai, ky dështim rezultoi në shpërndarjen e virusit në komuna të ndryshme.

Nëpërmjet faqes së tij në Facebook, Ismaili ka renditur hapat që Qeveria Kurti nuk i ka bërë ende, e duhet t’i ndërmarrë urgjentisht.

1. KUFIZIM TË PERSONAVE

Nuk është se po e kërkoj sot. E kam kërkuar edhe para tri javësh, në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, kur Coronavirusi kishte prekur Evropën. Nuk është bërë një gjë e tillë dhe ky ishte gabim. Është e domosdoshme që personat të cilët vijnë nga shtetet tjera – të vihen në karantinë dhe t’u ofrohet mbështetje. Po ashtu, menjëherë të identifikohen personat që potencialisht kanë pasur kontakt me të prekurit nga virusi dhe edhe ata të vendosen në vetë-izolim të detyrueshëm dhe t’u ofrohet mbështetje. Kështu, pamundësohet përhapja e sëmundjes. Qeveria duhet ta përmirësojë këtë gabim, urgjentisht.

2. TESTIMET AGRESIVE

Të fillohet testim agresiv, i shpeshtë, në mënyrë që të identifikohen qytetarët potencialisht të prekur nga virusi, për ta thyer kështu zinxhirin infektues. Qeveria të mos e bëjë gabimin e dytë. Ka raste kur jo Pacienti 0 (pacienti i parë që identifikohet me virus), por Pacienti 31 ka qenë shpërndarësi masiv i virusit, siç ka ndodhur në Korenë e Jugut. Prandaj, Qeveria duhet të krijojë mundësi për testimin agresiv dhe të zbulohen e izolohen rastet. Secili rast mund të jetë Pacienti 31. Testimi agresiv shpëton jetë.

3. MBROJTJE PËR PERSONELIN MJEKËSOR

Personeli mjekësor duhet të mbrohet. Me çdo mjet. Ata janë pjesa më vitale në këtë luftë, në bashkëpunim me qytetarët. Qeveria duhet të veprojë sa më parë për t’u krijuar atyre kushtet e duhura për punë./mediafokus.info