Urdhër arrest ndaj snajperistit që dyshohet se planifikoi eliminimin e Kurtit

Mes personave për të cilët Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) ka lëshuar urdhër arrest është snajperisti nga Shkodra, Prekë Kodra, i cili akuzohet se tentoi t’i bënte atentat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Plani për eliminimin e kreut të qeverisë së Kosovës u zbulua në një e-mail sekret të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në Shqipëri, Gledis Nano në shtator 2022.

Të dhënat nga e-mailet drejtuar Gledis Nano (i cili mbante në atë kohë postin e kryepolicit) që u publikuan nga hakerat, zbuluan planin e dy personave nga Kosova dhe një tjetër nga Shqipëria për të vrarë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Sipas e-mailit, thuhet se gjithçka duhej bërë për të sjellë destabilizim në të dyja vendet. Ai i është dërguar në vitin 2021 Gledis Nanos.

I dyshuar për atentatin është Prek Kodra nga Shkodra, i cili thuhet se ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Duke iu referuar informacioneve të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha, shkruan sot gazeta Panorama në Shqipëri.

Një muaj më pas thuhet se do të vritej Xhavit Haliti, që të dukej gjithçka si hakmarrje mes tyre. Ndërsa pas tyre do të vritej kryeministri Albin Kurti, për të destabilizuar Kosovën. Këto tre vrasje ishin planifikuar të kryheshin në harkun kohor të tre muajve të ardhshëm që nga hartimi i planit.

Pas publikimit në media të të dhënave të marra nga e-mailet drejtuar ish-kreut të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, reagoi në atë kohë edhe Qeveria e Kosovës.

Sipas tyre, për atentatin e planifikuar ndaj Albin Kurtit një vit më parë, kreu i qevervisë së Kosovës është njoftuar nga autoritetet, të cilat kanë marrë menjëherë masa.

Prek Kodra dyshohet se është i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Kosovë dhe Mal të Zi. Kodra rezulton me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut.

Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezulluar urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.

Në një reagim, më 21 Shtator 2022, Prek Kodra i kishte hedhur poshtë këto akuza duke i konsideruar “shpikje”. Në emsionin “Pressing” të T7, tregoi se për këtë informacion ishte njoftuar nga një i afërm i tij nga Gjermania.