Ushqim kryesor në fshatrat e Malësisë së Zhegocit dikur ishte misri, elbi e thekra
Sipas mësuesit, tani në pension, Ramadan Mehmeti, dikur ushqim kryesor në fshatrat e Malësisë së Zhegocit ishin misri, elbi dhe thekra. Gruri më pak.
Meqë jetohej nga bujqësia dhe drithërat, Kishnapola, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kishte filluar t`i punonte tokat, për të siguruar bukën.
Selia e Komunës, ishte vendosur në Sllakoc të Epërm, sipas organizimit të atëhershëm administrativ.
Këto komuna kishin për detyrë të organizonin jetën në fshatra.
Përmes Komunës, përcilleshin te fshatarët e mjerë e të pashkolluar iniciativat që jepeshin nga qendra.
Edhe pse ishin të pashkolluar, fshatarët e kësaj ane i shquante fisnikëria dhe bujaria.
Bashkësitë familjare, kryesisht merreshin me blegtori, bujqësi dhe zeje.
Ushqim kryesor kishin misrin, elbin, thekrën e me pak grurin. Ishte kohë e varfërisë së madhe.
Për të bluar drithërat duhej të shkonin në Nerodime, ku kishte mullinj me ujë.
Pritjet ishin të gjata. Tërë regjioni i Anamoravës dhe Nerodimes aty bluanin drithin.
Fshatarët filluan të ndërtojnë mullinj edhe në rrethin tonë, thotë Mehmeti.
Ndër të parët u ndërtua mulliri i Lushit në Gadish.
Banorët e kuptuan se përveç që nuk kishin nevojë të shkonin larg dhe të pritnin nga tri-katër ditë për të bluar, nga mullinjtë kishte edhe përfitime tjera, sepse bluanin me ujem.
Me pas u ndërtua në Kishnapole mulliri i axhës Mehmet, pastaj i Tahirit, Qalit, Musës dhe i fundit i Muratit, të cilët punuan deri më 1980.
Shkaku i mungesës së të reshurave dhe avancimit të teknologjisë, këta mullinj u lanë pasdore dhe tani ekzistojnë vetëm si gërmadha.
Sot ka ndryshuar edhe kultura e ushqimit.
Tani më pak, ose fare përdorën për bukë misri, elbi e thekra./mediafokus.info

