Ushtari i dy luftërave çlirimtare po bëhet me shtëpi të re
Ushatari i dy luftërave çlirimtare, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Buanoc (UÇPMB), Ekrem Thaqi, prej afro dy dekadash ka jetuar në gjendje të rëndë të banimit, shkruan Mediafokus.info.
Por, jetesa në kushte të rënda po merr fund, pasi Shoqata Jetimat e Ballkanit ia konfirmuan të shtunën fillimin e ndërtimit të shtëpisë së re në Lagjen e Vishnjeve, në Gjilan.
Me lot në sy e kishte pritur lajmin që ia kumtoi kryetari i kësaj shoqate, Halil Kastrati.
“Nuk kam pas gëzim ma t’madh. Nuk e kam besu kurrë që po bahem me shpi të re”, thotë për Mediafokus.info ushtari i dy luftërave çlirimtare, Ekrem Thaqi, i cili është plagosur në atë të Maqedonisë, në vitin 2001.
“Fmija m’u dhimbshin se e jemja e ka pasë”, vazhdon ai.
Thaqi ka shprehur falënderim për Lutfi Haziri, kryetarin e Gjilanit, i cili thotë se e ka ndihmuar në vazhdimësi për barna.
“Jam në karrocë, nuk mund të eci. Saherë kam pasë nevojë, m’u ka gjind kryetari Luta, të cilin e falënderoj shumë. Falëmnderit edhe Halil Kasrati dhe donatorëve që po ma mundësojnë ndërtimin e shpisë së re. Zoti e shpërbleftë”, ka thënë ai.
Komuna e Gjilanit njihet si komunë kampione sa i përket mbështetjes së kategorive sociale.
Që nga mbrëmja e parë humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, e realizuar me iniciativë të Lutfi Hazirit për mbështetjen e familjeve pa strehë në tetorin e vitit 2014, janë ndërtuar më shumë se 135 shtëpi me celësa në dorë.
Donatorë ishin kryesisht bashkatdhetarët që jetojnë në shtetët e perëndimit. /Mediafokus.info/

