“Ushtrime me anti-tank e lëvizje të ushtrisë” – Kurti zbulon detaje të reja nga sulmi i planifikuar i grupit të Radoiqiqit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka nxjerrë detaje të reja rreth planifikimit të sulmeve të ardhshme nga grupet terroriste serbe në territorin e Kosovës.
Në një konferencë për media, kryeministri Kurti ka shpërfaqur në detaje sulmin e ri të planifikuar nga grupet terroriste serbe.
Kurti ka deklaruar se grupet e formuara në Serbi janë duke vazhduar ushtrimet për një sulm të ri në Kosovë. Ai ka potencuar se gjatë këtyre ditëve ka pasur tendenca për një sulm të mundshëm, por zgjedhjet në Serbi i kanë shtyrë ato.
“Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank për kushte dimërore dhe snajperistëve. Ka pasur qëllim një sulm për të marrë në dorë vilën e Radoiqit në Ujman, por këto sulme janë shtyrë për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Plani ka ndryshuar pas patrullimit të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe KFOR-i.
Ndërkaq në poligonin e ushtrisë në Peshter kanë rifilluar ushtrimet e një grupi prej 60 pjesëtareve të grupit terrorist mbrojtja civile të cilët ishin pjesëmarrës edhe në sulmin në Banjskë dhe vlerësohen si njerëzit më të besuar të Milan Radoiqiq”, ka deklaruar mes të tjerash Kurti.
Sipas tij, lidhur me sulmet e reja në veri të Kosovës në gadishmëri është vënë edhe ushtria serbe, që po qëndron shumë afër kufirit.
“Ky grup kishte planifikuar sulme ndaj policisë sonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi që lidhet me grupet ilegale në kufi. Për këtë qëllim thuhet se ka pasur lëvizje edhe nga ushtria e Serbisë e cila ka stansionuar ushtarë të saj në disa pika me kufirin me Kosovën në pikat ku parashiheshin sulmet. Pjesëtarët të larguar nga veriu janë grumbulluar edhe në një vend tjetër të quajtur goq, ku eshtë e vendosur njëra ndër bazat e xhandarmërisë serbe më të mëdha në rajon. Gjithashtu ka pjesëtarë të grupeve terroriste të armatosur e unifromuar me veshjet e njëjta që kanë pasur në Banjskë, të cilët po qëndrojnë rreth 10 km në kufi me Kosovën dhe po qarkullojnë në zonat përreth. Ata posedojnë armë, anti-tank e armë të shumta”, deklaroi Kurti.

