Vajza e mitur tenton të godasë prindërit me vazo dhe thikë

Një përshkallëzim shqetësues i dhunës brenda familjes është raportuar të dielën në Obiliq, ku një vajzë e mitur është përfshirë në një situatë agresive ndaj prindërve të saj.

Burime të Sinjalitbëjnë me dije se ngjarja ndodhi më 03 gusht rreth orës 16:00, ku K. V. dhe bashkëshortja e tij V.V. raportuan në Polici për sjellje të dhunshme nga vajza e tyre 16-vjeçare.

Sipas dëshmisë së tyre, pas një mosmarrëveshjeje, vajza fillimisht ka tentuar ta kapë për fyti nënën, e më pas ka marrë një vazo dhe ka dashur të godasë me të prindërit.

Kur këta u strehuan në një dhomë tjetër, ajo ka marrë një thikë nga kuzhina dhe ka filluar të godasë derën me të.

Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke konfiskuar thikën e bukës dhe vazon, si dëshmi materiale. Vajzës i është dhënë ndihma e parë për një gërvishtje në vesh, ndërsa është intervistuar në praninë e Qendrës për Punë Sociale dhe avokatit mbrojtës.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar si “Dhuna në familje” dhe është dërguar në procedurë të rregullt, ndërsa palët janë liruar në pritje të zhvillimeve të mëtejshme.