Vaksinat me dozë politike në veri

Sretko Radenkoviq, 77-vjeçar nga fshati Sërboc i Komunës së Zveçanit, është një prej atyre që kanë marrë vaksinën e kompanisë Pfizer, më 26 dhjetor, në Shtëpinë e Shëndetit në Zveçan.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë që për vaksinimin kishte marrë vesh rastësisht, të premten në mbrëmje, nga një fqinj i tij. Më pas, ai thotë që vendosi që të shohë se a mund të vaksinohet, duke shpresuar që dikush nga lista që ishte bërë për vaksinim, të hiqte dorë.

“Kështu edhe ndodhi. Të paktën tre persona hoqën dorë. Për fat, vaksina kishte më shumë se sa ishte paraparë në listë. Ishte planifikuar për 50, ndërkaq erdhën 60 vaksina, kështu që nuk pati probleme se a do të hiqte dorë dikush ose jo. Mjeku menjëherë më tha që të presë, sepse do të kishte vaksina. E mora vaksinën pa pasur mëdyshje”, tha Radenkoviq.

Institucionet shëndetësore serbe nuk kanë qenë të qasshme për të marrë një koment lidhur me atë se a do të vazhdohet me imunizimin e popullatës ndaj sëmundjes COVID-19 në veri të Kosovës.

Sipas të dhënave jozyrtare, në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, nga Serbia kanë arritur nga rreth 50 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, ndërkaq rivaksinimi është caktuar pas tri jave, që nga pranimi i dozës së parë.

Fillimisht u vaksinuan personat mbi 65 vjeç me sëmundje kronike dhe ata të cilët u thirrën nga mjekët.

Vaksina pritet të arrijnë edhe në Graçanicë

Po ashtu, në Graçanicë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe në afërsi të Prishtinës, është duke u bërë anketimi i qytetarëve lidhur me atë se sa dëshirojnë njerëzit që të vaksinohen. Më pas, mbi këtë bazë, Ministria e Shëndetësisë e Serbisë, do t’i dërgojë vaksinat.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, Mirjana Dimitrijeviq. Ajo theksoi se anketimi ndërlidhet me pacientët që kanë mbi 65 vjeç dhe se të dhënat do të shërbejnë për vaksinimin që do të bëhet.

Ajo nuk precizoi se kur do të arrijnë vaksinat në Graçanicë dhe as në çfarë sasie, por theksoi se ka një numër të madh të njerëzve që kanë shprehur dëshirën të vaksinohen.

“Ne presim që pasi t’i dorëzojmë këto të dhëna tek institucionet kompetente, do të marrim ftesën për furnizim dhe do të fillojmë me shpërndarjen e vaksinave”, theksoi Dimitrijeviq./REL/