Vakti e ha kashtën

Fshati Kishnapolë gjendet në veri-perëndim të Gjilanit, në një trekëndësh mes komunave Viti, Ferizaj dhe Lypjan. Është qendër e fshatrave Gadish, Sllakoc i Epërm e Sllakoc i Poshtëm, me banorë vendës e të ardhur.

Kështu ka zbardhur sot dita në Kishnapole. Bora i ka gëzuar fëmijët, siç mund të shihen  edhe në këtë foto të marrë nga profili digjital i fshatit, por në anën tjetër i ka rritur mundimet e familjarëve, të cilët duhet të mendojnë për dru, për bukë, për ushqimin e kafshëve, shkruan Mediafokus.info.

‘Vakti e ha kashtën. Dikur dimri i i kishte hjekat dhe hijeshitë e veta’, është komenti me të cilin shoqëruar fotoja.

Banorët e duan fort fshatin e tyre. Edhe ata që kanë migruar dikur, ka ndodhur të kthehen më vonë.

Ramadan Mehmeti, arsimtar në pension, thotë se kur flitet për emrin Kishnapole, shpeshherë thuhet Fusha e Shiut, por e vërteta është se Kishnapola daton qysh nga shekulli 14, nga periudha bizantine, që nënkupton se ky lokalitet është shumë i vjetër.

Në bazë të hulumtimeve që ka bërë Mehmeti, ka ardhur në përfundim se bizantinët shfrytëzonin xeheroret e këtushme, për çka edhe sot ka gjurmë konkrete. Si argument, ai përdorë hartën e vitit 1530, kur regjionet ishin të ndara.

Sipas tij, asokohe, popullata e këtushme i përkiste besimit të krishterë dhe ortodoks, çka e dëshmojnë gjurmët e kishave. Supozohet se çdo kishë mbante një emër. Kisha e Kishnapolës e mbante emrin e Shën Palit, prej nga e ka prejardhjen emri i fshatit, që në shqiptim ka pësuar ndryshime, por assesi nuk është emërtim sllav, sepse sllavishtja ka fjalë tjetër për kishën.

Përveç kishave, ekzistojnë edhe varreza që e dëshmojnë besimin e popullatës së këtushme në atë kohë. Gjurmët e shkritoreve dëshmojnë se populli i asaj kohe ishte nën sundimin bizantin dhe punonte sa për bukën e gojës. Shkritoret ishin të vendosura rreth luginave, pasi që duhej uji për larjen e xehes. Xeheroret më të njohura në atë kohë, sipas Mehmetit, ishin ajo që gjendet në kufirin e Gadishit me Zhegocin, ku edhe sot gjenden “bunarët pa fund”.

Ideja se banorët e parë kanë ardhur nga Shqipëria, nuk argumentohet, thotë Mehmeti, por nuk e përjashton mundësinë që ata të kenë lëvizur në vende tjera e sidomos në rrethinat e Ferizajt dhe përsëri të jenë rikthyer në pronat e të parëve, ku kanë krijuar lagjet Murati, Ramiqi dhe Spahiu, vijon Mediafokus.info.

Këto fshatra, si gjithmonë kanë luftuar pushtuesit, që nga lufta e dytë botërore, kur pikërisht në Kishnapole u formuan brigadat balliste për çlirimin e vendit e deri te lufta e fundit e vitit 1999.

Për shkak të aktivitetit patriotik, Kishnapola nuk i shpëtoi asnjëherë dhunës dhe presioneve, për çka shumë prej banorëve u detyruan të migrojnë në Turqi.

Gjatë aksionit të njohur të mbledhjes së armeve, shumë fshatarë janë rrahur me dru deri në vdekje, ndërsa të tjerë, ose janë detyruar të dorëzojnë armët, ose të ikin nga vendlindja.

Banorët e Sllakocit u desh t’i lënë shtëpitë dhe tokat e të ikin në Turqi, për të shpëtuar kokën. Njëri ndër ta ishte edhe Brahim Sylë Ibrahimi, i cili për 30 vjet jetoi larg vëllezërve dhe bashkëfshatarëve dhe në fund u kthye në tokën e të parëve.

Përndryshe, në Kishnapolë janë ruajtur odat e burrave, bashkë me zakonet. Më të njohurat ishin oda e Hysen Nuhë Muratit, e cila ishte e hapur 24 orë për mysafirë, për të afërm e për katundarë. Mehmeti rikujton fjalët e axhës Hysen, plak 105 vjeç, i cili thoshte “Buka i bëftë mirë njeriut të mirë”.

Një numër i familjeve të fshatrave Kishnapolë, Gadish e Sllakoc nuk kanë dashur të migrojnë në zonat urbane e të bëhen raste sociale, por kanë zgjedhur të merren me bujqësi, blegtori e bletari në vendlindjen e tyre. Mundësi tjera për punësim në zonat rurale nuk ka.

Këto fshatra të rrethuara me kodrina të ngrohta dhe të pasura me ujëra të freskëta, e bëjnë grurin më mirë se tokat e Banatës në Vojvodinë. Banorët janë të lidhura me to dhe nuk dëshirojnë të ‘ndahen’ prej tyre. /Mediafokus.info