Kështu e rikujton gjyshin nipi i tij Besniku

Jo të gjithë fëmijët kanë fatin t’i kenë gjyshërit në jetën e tyre, sikur Besniku dhe vëllezërit e tij.

Ai ka mësuar shumë nga këshillat e gjyshit Ismajl Sherifi, për urtinë, për respektin, humanizmin…

Besniku e ka rikujtuar sot Babalokun, siç e quan ai, në ditën që iku nga kjo jetë, 8 vite më përpara.

“Gjyshi ynë ishte një personalitet me shumë tipare pozitive. Këshillat e tij kanë qenë të arta. Veprimet e tij kanë qenë humane. Sjelljet e tij kanë qenë model në raport me tjetrin. Komunikimi me të, çdo herë ka qenë i frytshëm. Idetë e tij kanë qenë kreative dhe motivuese”, ka shkruar Besniku.

Këtë burrë malësor, të urtë, të sinqertë, të ditur e të drejtë, nuk e bënte të veçantë e të dashur në çdo rreth ku gjendej, vetëm pamja e jashtme, por edhe humori i tij i lehtë dhe i këndshëm dhe mbi të gjitha kontributi që dhe në çështjen kombëtare dhe proceset e tjera nëpër të cilat ka kaluar shoqëria kosovare, si para, ashtu edhe gjatë e pas luftës.

Ishte shembull për t`u admiruar. Sakrifikues dhe i etur për dije, njeri optimist dhe komunikues i përshtatshëm për te gjitha moshat.

Urtësia dhe inteligjenca e tij bënë që ai të përzgjidhej si përfaqësuesi i vetëm nga i gjithë rajoni i Anamoravës për t’u bërë pjesë e projektit madhor hulumtues “Kujtesa e Kosovës: Histori Gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka“.
Ky botim 10-vëllimësh, i realizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe i mbështetur nga Ambasada Amerikane, ruan dëshmitë e tij të vlefshme mbi zakonet, luftërat dhe historinë tonë gojore.
Ndonëse ai ndërroi jetë pak muaj para promovimit zyrtar të librit në vitin 2019, rrëfimi i tij mbetet një testament i çmuar i trashëgimisë sonë shpirtërore./Mediafokus