Varri i Ahmetali Ajetit mbetet i zbrazët prej 26 vitesh
As pas 26 vjetësh në liri, trupi i pajetë i Ahmetali Ajetit nga fshati Lladovë, komuna e Gjilanit, nuk është gjetur ende, shkruan Mediafokus.info
Ai është vrarë nga forcat ushtarake e paramilitare serbe në Lladovë, më 2 prill 1999.
Sot e asaj dite, te varret e martirëve mungon trupi i Ahmetaliut, që asokohe ishte kryetar i nëndegës së LDK-së.
Ai vritet në cep të një are, ku ndahet rruga e Nasalës dhe ajo për Remnik.
Po atë ditë vriten nga kriminelët serbë motër e vëlla, Hevzi e Ganimete Ajeti, ndërsa plagoset rëndë Mefail Ajeti.
Banorët e Lladovës, që ishin zënë peng nga forcat paramilitare serbe, ishin urdhëruar që trupat e Beqir Mahmutit (42), Zijadin Mahmutit (35), Daut Mahmutit (35), Hevzi (26) e Ganimete Ajetit (22) dhe Ahmetali Ajetit (37) t’i varrosin pa zbardhur dita, në mëngjesin e hershëm të datës 3 prill 1999.
Rashit Mahmuti, tash i ndjerë, autorit të librit për krimet serbe në këto anë, Tefik Selimit (po ashtu i ndjerë), i kishte treguar se të gjithë të vrarët ishin varrosur nëpër oborre dhe në vend të dërrasave, sipër u kishin vënë dyer të shtëpive.
Trupin e pajetë të Ahmetalisë, të cilin e kishin lënë afër shtëpisë së Mefailit, nuk e kishin gjetur kur ishin kthyer për ta varrosur.
Trupi i tij mungon edhe sot, pas 26 vjetësh liri. /Mediafokus.info

