Vazhdojnë protesat në Rusi kundër mobilizimit për luftë në Ukrainë

Kanë vijuar dhe gjatë mbrëmjes së shtunë protestat në qytetet kryesore të Rusisë kundër mobilizimit të pjesshëm, të thirrur nga presidenti Putin për të vijuar më tej konfliktin në Ukrainë, raporton A2CNN.

Grupet për të drejtat e njeriut raportojnë se manifestime të ngjashme janë mbajtur në 32 qytete ruse, ku janë arrestuar më shumë se 700 persona.

Qytetarët rusë të cilët prej muajsh kanë qëndruar në heshtje për ofensivën, tashmë po reagojnë kundër urdhrit të ri që parashikon rreshtimin nën armë të 300 mijë personave të tjerë.

Megjithatë, këto protesta po përballen me përgjigjen e ashpër të autoriteteve, të cilat grumbullimet që kundërshtojnë luftën i cilësojnë të paligjshme.

Sipas raportimeve, pjesa më e madhe e personave të arrestuar në protesta janë dërguar menjëherë në qendrat e rekrutimit, duke i përballur këta njerëz dhe me një kërcënim tjetër që nënkupton 10 vite burg nëse ata dezertojnë.

Ndërkohë, vijojnë dhe largimet masive nga vendi pas urdhrave të Putin. Në kufirin me Gjeorgjinë janë krijuar radhë makinash deri në 18 km të qytetarëve që duan të largohen.