Vdekja e Enverit ishte përgatitur në zyrat e policisë serbe

Enver Ramadani tani do t`i kishte 47 vjet, po të ishte gjallë. Me siguri do të kishte edhe familjen e tij.

Por, ai u detyrua ta ndërpres jetën në moshën 17-vjeçe, në marsin e vitit 1990, shkruan portali mediafokus.info

Vdekja e tij ishte përgatitur në zyrat e policisë serbe, e cila e kishte trajtuar, sa ai nuk arriti ta bind veten për të vazhduar jetën.

Faji i tij ishte se kishte marrë pjesë në protestat e rinisë shkollore, duke ngritur dy gishtërinj përpara policisë serbe.

Për këtë arsye, atij iu mohua e drejta e jetës, nga një pushtet që shqiptarët i shihte armiq të tij, pavarësisht moshës që kishin.

Enveri ishte bashkuar me rininë shkollore, përkrah Reshat Ymerit, tash dëshmor, i cili u vra afër tij, ndërsa u plagosën shumë të tjerë.

Ai ishte shënjestruar nga policia, e cila më vonë e arrestoi para shtëpisë, në prani të motrës.

Në stacionin policor i nënshtrohet një keqtrajtimi barbar, që prej elektroshokut e deri te dëmtimi i organeve gjenitale.

Kur e kishin dërguar në gjykatë, policia i kishin thënë se do ta merrnin prapë, edhe nëse lirohet.

Me të kthyer në shtëpi, pasi një gjykatës shqiptar e liroi nga akuza, ai ishte mbyllur në dhomë dhe nuk kishte komunikuar gati me askënd.

Shokëve iu kishte treguar për atë që kishte përjetuar në polici.

Në atë gjendje që ishte, e kishte të vështirë t`i kthehej jetës normale. Jeta e tij ishte vrarë tashmë në zyrat e policisë.

Policia serbe ia kishte vrarë shpresat Enverit për të pasur një të ardhme. Këtë detaj ua kishte rrëfyer shokëve.

Përgjegjësit për vdekjen e Enver Ramadanit dihen, por ata nuk dhanë llogari asnjëherë për vrasjen e një 17-vjeçari.

Megjithatë, krimi nuk është harruar, sado që kanë kaluar shumë vite.

As dhembjet e familjarëve nuk janë shëruar dhe as nuk do të shërohen kurrë derisa të mos vihet drejtësia.

Ata e dinë kush është vrasësi i Enverit./Mediafokus