Vdekja e Sabrisë: Na kejt e kemi dasht, po ere Zoti e paska dashtë për veti
Hasan Bunjaku
Babë Zebeli, thuaja nuk kishte ditë që, kaluer nuk binte nga Desivojca e në Ngillan, për t’i rregulluar do dokumente të çregjistrimit nga Hyqmetaria serbe, vërtetime e fletëdëshmi të ndryshme që nuk është askush i familjes nën hetime për ndonjë vepër penale, për shlyerjen e tatimeve të ndryshme ndaj shtetit, e të ngjashme e për secilin dokument, i duhej të priste nga disa ditë.
Në njërin nga këto udhëtime, që, si zakonisht Nënë Metihja po e përcillte deri tek laura e oborrit, me djalin tri vjeç, Sabrinë përdore, se nga iu dha Babë Zenelit ta merrte, në atë mëngjes në krah të birin, ndonëse këtë, thuja nuk e bënte kurrë, edhe për shkaqe të një burrërie që mbretëronte atëbotë, por edhe për shkak se e shoqja e të vëllait të tij të vogël, Ramizit, kishte kohë që nuk kishte fëmijë fare. Tamam ishte duke e porositur e shoqja që po të kishte kohë, t’ju blente ndonjë shishe me gaz në Ngillan, në atë moment, nga çileri i saj, doli edhe Mulakja, e shoqja e Ramizit, e Babë Zeneli, i zënë ngushtë, siç qe duke e dashtë Sabrinë, përshpejtas, por fare lehtë, e lëshoi poshtë, në këmbët e veta, në mënyrë që kunata të mos mendojë se ja këta po “shesin e çesin njëfarë jerdami”, që i kanë (atëherë) dy fëmijë e kjo asnjë të vetin, dhe pasi që e shoqja dhe e kunata i uruan udhë të mbarë, e Babë Zeneli u nis drejt Prronit të Zeqirit, Sabriu ia nisi në fillim një dënesje, e mëpastaj edhe një vaji, që sapo kalonte koha vinte duke e rritë, gjithënjë në thirrje: “O babë!”, “O babë!, “O babë!”
Bre, u zgjuan nga gjumi, Gjyshja Bajralikja, Dada, e mo edhe Mulakja, e u përpoqën që ta qetësonin me çfarëdo lodrash, që as i kishte parë më parë, e duke i dhuruar edhe pemë nga arkat, e besa edhe kokrra sheqeri, që ishte kaq qesat atëherë, e që fëmijëve nuk “iu pikte në gojë”, madje se nga gjetën edhe do mjaltë, por asgjë nuk i bëri përshtypje, dhe që të gjitha i mënjanonte, dhe vajin nuk e ndalte që nuk e ndalte, gjithnjë pa u ndalur, duke e thirrë të jatin:
“O babë! O babë! O babë, breeeeeee!”
Madje, u tubuan edhe të gjitha plakat e Lagjës së Bunjakëve, dhe secila, me çka dinte, u përpoqën ta qetësojnë Sabrinë, edhe duke i bërë do si “rituale”, duke “i shkri plumb”; “duke ia sjellë rreth kokës kacinë me prush zjarri”, e do të tjera “munxa”, ndërkaq që Sabrisë nuk i pushoi vaji, sa dalë ngadalë nisi t’i shterret zani e të shkumojë nga goja, dhe aty, para drekës vocrraku dha shpirt, me pëshpërimin e fundit: “O babë!”.
Babgjyshi që gjendej në odë me burrat e Bunjakëve, fillimisht e zuri në asgjë punën e Sabrisë: “Fëmijë ma ashtu edhe rritet, tuj kajt e tuj kesh!”. Kur ia dhanë kumtin, u ligështua kaq shumë, saqë Axha Ramë e Baci Miz, duke e vërejtur këtë, e sollën një legen e një konxhë me ujë dhe ia freskuan fytyrën:
– Shnosh të tjerët, se Sabrija na la! – po i thot Axha Ramë.
– Po, allahile, shka pat, bre, qi dje ke si molla? A mos e ka tushkit najkush, se pasha natën e vorrit, pa ju mytë s’e la! – Babgjyshi doli nga vetja, dhe i pikën dy pika lot.
– Jo, pasha ni Zot, po se shka iu teptis baba i vet, Neli, e po thojnë gratë, pej se asht nisë për Ngillan, ja paska nis vajit tue e thirrë babën e vet, e s’koka nal asnjë minut teri sa paska dhanë shpirt! Se, jo, askushi nuk e paska prek as me gisht t’vogël – foli Baci Miz.
– Ju shnosh, o burra se kaq e paska pasë t’shkrume! – foli Axha Rrahman – se vallahi, qaq shumë po m’dhimet! – E ti, Demir, maju e banu i fortë! Ti ma po e din si kejt dyjeja qi unë s’kam hiç thmijë mashkull, e qe, hala nuk e kam hup ymyzin qi, me jazi të Zotit, më falet noj nja, lee ma kta qi janë shumë ma t’ri se unë!
– Mos u mërzitni burra! Kto punë nuk janë n’dorën tonë, po të Atij t’Madhit, i kofshim falë! – ngushëlloi Haziri i Xhemës.
– Mërzi e mërzi, sa t’dush, po thuj nuk kemi se shka me ba. E kemi dashtë e e keni dashtë ere ju, po e paska dashtë ere Allahi për veti – foli Axha Ali. – Po t’kqyrim e ta bajmë nifarë dymeni, e ta përcjellim për në atë dyje qysh e lyp zakoni, e na duhet t’i dajmë punt; kush te hoxha, kush te vorri, kush te drrasat, kush te dyqani për ato senet e qefinit, e puna e parë, se desh harrova – dikush me axhele me e gjetë Zenelin ku asht e ku s’asht n’shehër e me e thirrë qi me axhele me ardh te shpija!
– Kit punë lemna mue! – foli Dalipi – e…
-Ti faleminerës qi po na e bitisshe kryt e punës, o Dalip!
– Duhet kejt t’i biem punës sa ma shpejt e ta përcjellim sa ma shpejt se xhenazja nuk pret! – foli Axha Ali, ndërsa Babxhyshi, Axha Ramë e Baci Ramiz, po përloteshin e po i fshinin sytë me mindila!

