Vdekja e të riut nga Gjilani duhet të trajtohet në mënyrë profesionale

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka raportuar sot para anëtarëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes lidhur me menaxhimin e situatës se sigurisë në Kosovë gjatë kohës së pandemisë.

Pas kësaj, Qalaj është deklaruar para mediave ku ndër të tjera është pyetur rastin e djaloshit nga Gjilani, Agon Musliu, i cili bëri vetëvrasje derisa ishte në karantinë.

Qalaj tha se në komision është diskutuar për Qendrën e Studentëve që është shndërruar në karantinë.

“Realisht kemi diskutuar për Qendrën e Studentëve dhe aspektin e rolit të policisë në këtë karantinë dhe rolin e policisë qoftë jashtë perimetrit të kësaj qendre apo në angazhimin e policisë brenda e që zakonisht është në bazë të kërkesë së mjekëve brenda. Çështja e fatkeqësisë që ka ndodhur, është duke u trajtuar. Është çështje e vlerësimit të prokurorit dhe po trajtohet në vazhdimësi, por është e ndjeshme dhe duhet trajtuar mjaftë mirë”, deklaroi Qalaj./mediafokus.info