Vdes në QKUK një vajzë 20-vjeçare, babai i saj ankohet për trajtim të pandërgjegjshëm nga mjekët

Një rast i rëndë ka ndodhur të martën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku vdiq një vajzë, e cila ishte dërguar në këtë qendër pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Vdekja e viktimës është cilësuar e dyshimtë, pas denoncimit të babait të saj, i cili po dyshon për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se viktima është një 20-vjeçare, e cila vdiq në orët e mbrëmjes të së hënës teksa po merrte trajtim mjekësor në QKUK, ku ishte dërguar nga familja e saj.

Pasi vajza ka humbur jetën, rasti është denoncuar menjëherë në Polici nga babai i saj, i cili ka kërkuar që vdekja e të bijës të hetohet, pasi ka dyshime se mjekët nuk e kanë trajtuar siç duhet dhe për pasojë ajo ka ndërruar jetë.

Si rezultat i denoncimit të rastit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve, me ç’rast trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion dhe marrjen e të gjitha veprimeve që çojnë në zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur rasti.