Vdes nga zjarri 76 vjeçari në Malishevë, nuk arriti të dilte nga shtëpia

Një 76 vjeçar nga Malisheva ka humbur jetën si pasojë e një zjarri që kaploi shtëpinë e tij sot në orët e para të mëngjesit.

Bashkë me të kanë qenë duke banuar në shtëpi edhe tre persona të tjerë, të cilët kishin arritur të shpëtonin nga zjarri.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Sheremet Elezaj, zëdhënës i policisë rajonale në Gjakovë.

“Sot rreth orës 02:40,  policia është njoftuar se në fshatin Panorc-Malishevë një shtëpi ishte përfshirë nga zjarri. Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe është kuptuar se në shtëpinë që ishte duke u djegur kishin qenë duke banuar katër persona, njëri prej të cilëve nuk kishte arritur të dilte. Pasi është lokalizuar zjarri është gjetur viktima mashkullor i moshës 76 vjeçare, pa shenja jete (vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes)”.

Po ashtu, Sheremeti tha se njëri prej të mbijetuarve për shkak të gjendje së rënduar shëndetësore, është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “Zjarrvënie” dhe aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për të hetuar shkaktarët e zjarrit.