‘Vullnetari i mëngjesit’ tani po u mungon shokëve dhe shtigjeve të vrapimit

Ish-vullnetari i mëngjesit, Osman Ibrahimaj, i cili për gati një shekull nuk iu nda vrapit dhe natyrës, tani po iu mungon shokëve dhe maleve të Stanishorit.

Në nderim të tij, Mediafokus.info riboton shkrimin për Osman Ibrahimajn, në përvjetorin e vdekjes së tij.

Thotë se që nga mosha 16-vjeçe merret me vrapim. As vet nuk kishte menduar se për 66 vite e më tepër do të mbetej një adhurues kaq i madh i vrapimit dhe natyrës.

Vrapimin e ka provuar së pari herë në një dasmë fshati, për të respektuar traditën e garës së maramës.

Asokohe, nusja nuk hipej në qerre dhe as dasmat nuk bëheshin, pa e kryer garën e maramës.

Për fituesin e shtegut pesë kilometra, jepej si shpërblim një dele, që asokohe ishte çmim mjaft i madh.

Ibrahimaj ka arritur të fitojë shumicën e garave nëpër dasma fshati. Tutje ai ka vrapuar, jo më për gara e shpërblime, por për të mbajtur lidhjen me natyrën, që sipas tij, është e pazëvendësueshme për jetën dhe shëndetin e njeriut.

‘Mjek më të mirë se natyra nuk ka askund në botë’, thotë ai.

Por, është i zhgënjyer për mënyrën si e trajtojnë disa persona ambientin, sikur të ishte diçka e huaj.

Ibrahimaj është ndër të paktët qytetarë që edhe me këtë moshë del për çdo ditë në Stanishor, një masiv bjeshke në afërsi të Gjilanit.

Ai i takon grupit të vullnetarëve të mëngjesit, të cilët, përveç ushtrimeve, kujdesen edhe për këtë ambientin.

Por, ajo që e shqetëson 82-vjeçarin, është ndotja e natyrës. Ka persona që tregohen të papërgjegjshëm ndaj ambientit dhe e ndotin atë sikur të ishte diçka e huaj.

Në Stanishor, një zonë kjo e pasur me drurë të ndryshëm, me lumenj e lule, përveç pushimeve, bëhen edhe ushtrime gjimnastikore e rekreative nga grupe të ndryshme sportive e qytetarë të rëndomtë.

Ka shtigje për vrapim, vegla për ushtrime, ulëse për pushim.

‘Kjo hapësirë duhet ruajtur si një mrekulli e natyrës, duke investuar në të dhe jo duke e ndotur’, thotë Osmani.

Është shumë i zemëruar me trajtimin që disa qytetarë i bëjnë kësaj zone, që të huajt e kanë lakmuar pafundësisht, sa herë kanë qenë këtu për ta vizituar.

‘A mbushemi mend ndonjëherë ne’, thotë ai i nevrikosur.

Ka njerëz që vijnë këtu, rrinë e pushojnë e kur ngrihen për të ikur, lanë pas vete gjithë mbeturinat.

Ka edhe të tillë që hedhin mbeturina të ngurta skaj lumit, duke degraduar gjithçka të bukur në këtë vend.

Shpeshherë i largon vetë mbeturinat, por dikush sikur kujdeset që ta rikrijojë pamjen e njëjtë: mbeturina, rërë, kocka, ulëse të shkatërruara.

Ibrahimaj flet për rëndësinë që ka natyra për njeriun.

‘Natyra të jep forcë dhe të qetëson. Natyra është jeta e njeriut. Vrapimi në natyrë është ushqimi kryesor i trupit të njeriut. Ata që vrapojnë nuk kanë nevojë për mjek, as për barna.

Shëndeti i njeriut janë atletika, aromat e luleve, shtazët dhe shpezët që jetojnë në natyrë’, thotë 82-vjeçari.

Ai zgjohet në ora pesë të mëngjesit dhe fillon me vrapim një ditë tjetër të lumtur. Shpreson se edhe për një kohë të gjatë do t`i shkel me vrap këto shtigje.

‘Vrapimi dhe natyra janë pafundësia ime’ thotë Ibrahimaj.

I ndjen personalisht dobitë nga ky raport me natyrën, ku pos vrapimit shijon edhe ajrin dhe ujin e mirë, që i japin jetëgjatësi njeriut.

Shpatet e Stanishorit janë kthyer në një oazë shëndeti dhe miqësie në mes të njerëzve. Ky vend i ka ndihmuar edhe ata njerëz të cilët deri dje kanë lëvizur me vështirësi, u ka kthyer shpresat për të vazhduar jetën edhe të sëmurëve.

‘Ajri dhe uji i këtyre shpateve largon edhe pleqërinë, kur kombinohen me shëtitjet e mëngjesit’, thotë Ibrahimaj. /Mediafokus.info