Vdes poeti e publicisti Ramadan Musliu
Ka ndërruar jetë sot poeti, publicisti e studiuesi i letërsisë, Ramadan Musliu.
Lajmin e ka bërë të ditur shkrimtari Jusuf Buxhovi, i cili Musliun përtej miqësisë e kishte pasur edhe redaktor.
“Lamtumirë miku im, Ramadan Musliu. Kultura jonë mbeti pa krijuesin dhe intelektualin e madh. Ndërsa vepra ime mbeti pa redaktorin dhe mentorin e fjalës së fundit…”, ka shkruar Buxhovi në profilin e tij në Facebook.
Ramadan Musliu ka lindur në Beguncë të Vitisë më 31 maj 1954, për të mbetur një emër që do të kujtohet gjatë për kontributin kulturor të vendit.
Ai ishte student i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, teksa vazhdoj edhe me studimet pasuniversitare në po këtë vatër.
Pati një veprimtari të begat, që nga mësimdhënësi e deri te gazetari i kulturës në “Rilindje”, nga anëtari i redaksisë së Revistës kulturore “Fjala” te redaktori dhe drejtuesi i të përditshmes “Rilindja” si botim i Tiranës dhe revistës letrare “Kalendari letrar”.

