Vdes veterani i gjeodezisë, Mahmut Bajrami
Ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare gjeodeti gjilanas në pension, Mahmut Bajrami nga fshati Cërnicë.
Lajmin e kanë dhënë familjarët, derisa kolegu i tij, Sali Fazliu ka bërë një dedikim për Bajramin.
‘Komuniteti i gjeodetëve në Gjilan, por edhe më gjerë ka humbur një ekspert i cili me përvojën e tij ka ndihmuar dhe këshilluar shumë breza të rinj të gjeodetëve’, ka thënë Sali Fazliu, drejtor i Kadastrës, ku ka punuar për shumë vite Bajrami, derisa u pensionua.
‘Sapo më erdhi lajmi i trisht mbi vdekjen e ish-kolegut tonë, veteranit të gjeodezisë, Mahmut Bajrami.
Ne kolegët nga Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë mbetëm pa fjalë pas këtij lajmi të papritur. E humbëm një koleg me të cilin kemi kaluar shumë sfida por edhe qaste të mira në punë, kurse komuniteti i gjeodetëve në Gjilan, por edhe më gjerë e ka humbur një ekspert i cili me përvojën e tij ka ndihmuar dhe këshilluar shumë breza të rinj të gjeodetëve.
Me këtë rast i shpreh ngushllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit si dhe të gjithë kolegëve të DGJKP-së, kurse në emër të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë komunitetit të gjeodetëve të Gjilanit e më gjerë si dhe të gjithë atyre të cilët e kanë njohur Bacën Mahmut u shprehi ngushllimet më të sinqerta për humbjen e kolegut të tyre’, ka shkruar në profilin e tij në facebook, Sali Fazliu.

