Vitia drejt një komune pa Covid, kërkohet mirënjohje për doktoreshën Kadolli

Rasti i parë në Kosovë me Covid-19 u regjistrua në komunën e Vitisë, e cila ka gjasa ta zhduk e para virusin. 

Momentalisht, Vitia ka vetëm dy raste pozitive me Covid-19 dhe meritat për këtë, dikush po ia adreson doktoreshës Vjollca Kadolli, drejtoreshë e QKMF.

Madje ai i ka bërë kërkesë publike kryetarit të kësaj Komune, që doktoreshës Kadolli t`i ndajë mirënjohje për angazhim dhe përkushtim profesional në luftën kundër virusit.

Propozuesi, Ismet Sallahu rezulton të jetë pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Ky është postimi i tij: 

‘Kerkesë për Kryetarin e Komunës z. Sokol Haliti. I nderuar kryetar, sot kur Vitia ka mbetur vetëm me dy raste aktive të infektuar me virus, me shumë respekt t`u kisha lut që drejtoreshën Vjollca Kadolli ta shpërblesh me mirnjohjen më të lartë komunale për angazhimin dhe përkushtimin profesional në luftë kundër Covid-19 së bashku me stafin e saj. Dr e nderuar mirnjohjen nga qytetarët e ka marr, por jemi të bindur se edhe ju do ta shpërbleni për punën e bërë. Me shumë respekt Ismet Sallahu.

Përndryshe, në Viti po vazhdon vaksinimi sipas termineve të caktuara më herët. Deri më sot janë vaksinuar 1.945 qytetarë.

‘Po vazhdojmë me vaksinimin e qytetarëve të moshës mbi 65 vjet, si dhe qytetarëve me sëmundje kronike, mbi moshën 18-vjeçare’, ka thënë drejtoresha e QKMF-së, dr Vjollca Kadolli.

Ajo u ka bërë thirrje gjithë qytetarët që dëshirojnë të vaksinohen që duhet të regjistrohen në platformën online @Kosova, ose të paraqiten në qendrën e vaksinimit në QKMF-Viti.