Edhe nënat e infektuara mund t`i ushqejnë foshnjet me qumësht gjiri, por duke respektuar masat
Tri foshnja, nënat e të cilave rezultuan me Covid, ndodhen në trajtim spitalor dhe njëra prej tyre është në gjendje më të keqe. Foshnja e 26-vjeçares nga Vitia e cila ka vdekur të dielën si pasojë e infektimit me koronavirus, është në gjendje më të rëndë shëndetësore.
Kështu ka bërë të ditur ushtruesja e detyrës së e drejtoreshës së Klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hajrije Ismaili, duke shtuar se aktualisht janë nën trajtim edhe dy foshnje të tjera, që janë negative, por që nënat e tyre janë konfirmuar me virus.
Për këto dy foshnje Ismaili tha se kanë gjendje stabile shëndetësore.
Ismaili ka deklaruar se gjatë këtij viti në Klinikën e Neonatologjisë pozitiv kanë rezultuar 6 foshnja, prej tyre 1 ka vdekur javën e kaluar.
Neonatologia Hajrije Ismajli ka kërkuar nga nënat gjidhënëse të vaksinohen, derisa tha se edhe ato nëna që janë të infektuara me COVID mund t’i ushqejnë me qumësht të gjirit të sapolindurit, por që gjithsesi duhet respektuar masat anti-COVID.
Sipas saj, vërehet një rënie e lindjeve krahasuar me vitet e kaluara.