“Veç manu nër veti dhe kanë me ju shku punët si asht ma së miri, n’familje dhe n’shtet”
Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata…
Nazim Neziri është njëri nga këta personazhe që kanë shkelur shekullin.
Nazimi (sipas dokumenteve) u lindi më 02.01.1914, ndërsa realisht është i lindur në vitin 1910 dhe është personi më i vjetër në Anamoravë, me 107 vite (këtë e dëshmon kur thotë:
“Unë jam kanë nja 3 – 4 vjet ma i vjetër se Hasan Alia (Hasan Remniku “Kaçaku i fundit i Kosoves”)”.
Mixha Nazim ishte i këndshëm në bisedë; tregon se si babai i tij kishte jetu 117 vjet dhe kishte shëndet shumë të mirë e që edhe mixha Nazim ishte mjaft mirë me shëndet.
Na tregoi si e mbante mend heroin dhe trimin e këtyre anëve, Hasan Aliun:
“Hasanin e majë men si fëmijë; û kanë ma i ri se une, po edhe si i ri û kanë me shum karakter; nuk û kanë lojs si shum të ri t’kohës tij. Hasani nuk e ka ditë shka asht tuta, û kanë trim, po edhe burrë që s’lin ma n’ketë ven”.
Mixha Nazim ishte shumë i kthjelltë në atë që tregonte:
“I majë men shum kohna tu fillue pi kohës kralit, t’komunistit, t’Rankoviqit deri te koha e Millosheviqit. Për neve shiptart nuk u kanë asnja pi ktyne kohnave të mira, secili që ka ardhë ktupari na kanë sunue e na kanë repë për së gjalli. Luftat nuk janë t’mira, po kjo e fundit û kanë shum e shtirë, me hek pi venit vet ni popull tanë me kshyre me zhba kete ven kejt veç shkavi din. Une veç ni sen e di shkavit besë kurrë nuk ban mi zanë”.
Gjithmonë ekziston një fshehtësi për jetëgjatësinë, qoftë ushqimi, puna ose diçka tjetër.
Mixha Nezir tregon për vehte: “Prej se e majë men mujt e mdhaj i kam ninu ka tri ditë, a që gjashtë vjet e fundit i kam ninu krejt mujt e mdhaj, për ramazan s’po folum ata e kam ninu prej se maj men për vete.
Tamlin e kam dashtë gjithmonë, kam pi shum tamël, nashta edhe qajo um ka nimu shum, bile edhe baba jem e ka dashtë shum tamlin. Ai ka jetue 117 vjet edhe shum i kthjellt û kanë tanë jetën, po get që e kemi traditë. Edhe me punue kam punue gjithmonë shum, kurr sjam nalë prej vogjlie; tash pak jav kam lanë renin t’rive, jam dalë pak anash”.
Meqë mixha Nezir mundoj, duke pasur parasysh edhe moshën e tij. Në kërkesën time për një porosi, ai tha:
“Veç manu nër veti, dunu nër veti edhe kanë me ju shkue punët si asht ma së miri, jo veç n’familje po edhe n’shtet”. (Remnik, 28 nentor 2017)
/Muhamed Sadriu–‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësishtë kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.

