Vehbi Kajtazi: Kurti do dënimin e Thaçit
Vehbi Kajtazi thotë se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do që ish-presidenti Hashim Thaçi të dënohet nga Gjykata Speciale.
Megjithatë, si pasojë e kësaj, Kajtazi konsideron se “mund të pësojnë edhe të tjerët”.
“Unë mendoj që pushteti i Albin Kurtit do që Thaçi të dënohet. Ky e ka ekskluzivisht me Hashim Thaçin dhe si pasojë mund të pësojnë edhe të tjerët”, deklaroi Kajtazi në emisionin “VV Show”.
Sipas tij, “mllefi” i Kurtit ndaj Thaçit po ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si trajtohet çështja në raport me Hagën, përfshirë edhe kufizimin e mbështetjes financiare për mbrojtjen juridike të të akuzuarve.
Gazetari paralajmëroi për pasoja të rënda për Kosovën në rast të një dënimi eventual të udhëheqësve të UÇK-së.
“Ky inati që ka, ky mllefi që e ka Kurti me Thaçin ka reflektu edhe në kufizimin financiar të mbrojtjes së tyre përçka në fund nëse ata dënohen, pëson Kosova sepse ata janë udhëheqës të luftës çlirimtare, janë udhëheqës të UÇK-së dhe një vendim fajësues për ta, Kosovën e nxjerr si shtet, produkt i një lufte kriminale”.

