Vëllezërit që s`e njohën njëri-tjetrin gjysmë shekulli

Ismail Arsllani

Sa është e pabesueshme, aq edhe e vërtetë: Qemal Shahini, tetovar, po i mbushte të gjashtë dekadat e jetës, pa ditur se në këtë rruzull të botës paska edhe një vëlla, të gjakut.

Si ndodhi që të mos dijë për këtë!? Ku kishte tretur ky aq mistershëm, para 65 vjetësh, në kohëra të zymta.

Për fat, ky vëlla i tij, dhjetë vjet më i madh, të cilin e quanin Jusuf, pas shumë kohësh, ishte “lindur” për së gjalli, diku në tokat e Azisë së Vogël, në Turqi, në një fshat të largët të Bursës.

Takimi i këtyre të dyve, Qemalit e i Jusufit, të cilët, për çudi, s’ishin parë kurrë në jetë dhe as që dinin për njëri-tjetrin se janë gjallë, më shumë se gjysmë shekulli, ndodhi në muajin shkurt të vitit 1988, në Tetovë.

Gjurmët e para…

Për të kuptuar se si merr frymë një popull, herë-herë duhet kthyer në kafe-çajtore, thonë. Këtë “devizë”, në disa raste e shfrytëzojnë edhe ata të penës…Në një kafeteri të qytetit, një mik më sugjeron:

“Ngutu, të bisedosh me dy vëllezër, që u poqën pas gjashtë dekadash!” Përshkruan, pastaj, disa nga momentet më interesante të këtij takimi, nga i cili vetvetiu imponohet titulli stereotip: “Jeta shkruan romane”.

Një ditë shkurti, që i ngjasonte asaj të pranverës, trokas në derën e Qemalit. Njihesha me këtë njeri prej më parë, por kurrë s’e kishte zënë në gojë emrin e këtij vëllai që i doli tash. Me të parë, më bëri me dije, pa thënë asnjë fjalë, se e dinte qëllimin pse kisha shkuar.

“Takimi ynë me vëllanë pas kaq vitesh le të mbetet mes nesh, pa ndonjë publikim!”, thotë ai.

Ishte kjo një përgjigje kategorike. Me të dëgjuar këtë refuzim, përnjëherë “ranë në ujë” titujt e mes-titujt e këtij shënimi, që duhej të dilte në dritë. Një shpresë e vogël, por, mbeti…

Ditë më vonë, duke vënë në provë moton: “Kur e do nevoja, duhet bërë edhe i mërzitshëm”, andaj, sërish trokas te dera e Qemalit. Për fat, marr përgjigje: “Urdhëroni brenda!”

Dy vjet para këtij takimi, më 1986, në një lagje të Munihut /Gjermani/, një “gastarbajter” yni nga Tetova, në banesën e vet kishte shtruar darkë solemne për nder të mbesës, Kimete, e cila kishte ardhur nga vendlindja, si “turiste”, te xhaxhai Ismail, i zënë me punë të përkohshme tashmë njëzet vjet.

Me këtë rast, ia kishte përcjellë xhaxhait përshëndetjet e përzemërta të babait Qemal, të cilin ai e kishte vëlla prej një nëne. Qemali s’kishte vëlla tjetër, së paku kështu dihej deri vonë.

Për të përgëzuar mikun e tij, Ismailin, me rastin e vizitës së mbesës nga Tetova, atë natë, në këtë pikëpjekje vjen edhe Samiu, me familjen, po ashtu “gastarbajter” nga Turqia. Biseda tirrej gjerë e gjatë.

Nikoqirin Ismail, përherë e brente një fshehtësi, por kurrë nuk i kishte hapur zemrën mikut nga Turqia. Sepse, shumë vite më parë kishte dëgjuar se diku në Turqi jetuaka edhe një vëlla prej babe i Qemalit. Puna ishte e ngatërruar dhe vështirë për ta kuptuar.

“Vallë, është e vërtetë kjo?”, – bluante shpesh në kokë Ismaili, por përgjigje s’gjente dot.

Mysafiri i asaj nate në Munih, Samiu, me prejardhje nga Bursa, ishte martuar me një tetovare. Rrënjët ishin degëzuar thellë-thellë…Atë natë të veçantë, mysafiri Samiu shkrepi:

-E njoh një njeri me emrin Jusuf, për të cilin thonë se është nga vendi juaj. Nuk e di me siguri se nga cili qytet është? Nuk e di a është ai për të cilin po flasim ne? Nuk e di…nuk e di, – belbëzonte Samiu, duke ndjellë shpresa të mëdha tek të pranishmit.

Biseda nuk kishte të sosur. U morën vesh që gjatë pushimeve verore, Ismaili të shkonte mysafir tek Samiu, në Turqi, që të gjurmonin e ta gjenin Jusufin. Kërshëria s’e linte rehat. Vera i dukej larg-larg…Kur do të vinte dita për rrugën e gjatë Munih-Bursë? Herë e takonte, herë e humbiste të “vëllanë”, në meditime të gjata.

Flisnin vijat në fytyrë.

Dita për të marrë rrugë kishte ardhur. “Stacioni” i parë në rrugën e gjatë për në Turqi ishte vendlindja, Tetova.

-Or, vëlla, – iu drejtua Qemalit, kur u takua në Tetovë, ta kam gjetur vëllanë e vërtetë, vëllanë e gjakut, Jusufin! Po shkoj në takim me të, shpërthen fjalë ngazëlluese Ismaili, paksa i shqetësuar, sepse fliste nga zemra dhe nga shpirti.

Pas arritjes në Turqi, Ismaili me Samiun, prej Burse bëjnë edhe një rrugë prej 90 kilometrash, që i dukej tetovarit sikur të ishte e pafund, përplot me shpresa për një takim të rrallë.

Më në fund, përballë dukej një fshat i vogël kodrinor-malor, me diçka më shumë se njëqind shtëpi. Në një tabelë trafiku shkruante Sazllaxhë kyjy /Sazlaci koyu/”. Rruga shpinte në sheshin e fshatit, kurse në shesh, kafeneja. Një i panjohur, në prag të kafenesë, të cilit i drejtohen, ua pret shkurt:

“Po, Jusufin e keni këtu! Një moment…!”

-Xha Jusuf, – i drejtohet Samiu, posa del ai nga kafeneja – ta kam sjellë vëllanë!

Në të vërtetë, Ismaili nuk e kishte vëlla Jusufin, por e ndjente si vëlla, sepse ky ishte vëlla me Qemalin, të cilin Ismaili e kishte vëlla prej nëne. Kjo ishte punë e ngatërruar, sepse babai Mehmeti, me gruan e tij që vdes, kishte lindur Jusufin, pasi martohet sërish Mehmeti lind Qemali. Jusufi dhe Qemali bëhen vëlla prej babe. Më vonë, gruaja e Mehmetit, nëna e Qemalit, martohet sërish dhe lind Ismaili, kështu që Qemali dhe Ismaili bëhen vëlla prej nëne…

Kur del Jusufi nga kafeneja, Ismaili shikon drejt në pishë të syrit dhe i hedh të gjitha dyshimet. Në vijat e fytyrës së tij e sheh Qemalin, të vëllanë nga Tetova.

“Ky do të jetë, qind për qind!” – thotë në vetvete.

Jusufi, tashmë i moshuar, hidhet në përqafim të “vëllait të vëllait” dhe ashtu të shtrënguar në përqafim rrinë gjatë-gjatë, derisa i përshkon në shiritin e memories të gjitha peripecitë jetësore.

Në shtëpinë e Jusufit, në fshatin Sazllëxhë, organizohet një pritje si për mysafirë të rrallë. Jusufi kishte tre djem /dy të martuar/: Veliun, Mehmetin e Xhemilin dhe një vajzë, po ashtu të martuar, Haxheren. Të gjithë ishin të befasuar.

-Babë, paske vëlla të gjallë, e nuk na ke treguar, – me ton “qortues” i drejtohen njëzëri njerëzit e shtëpisë.

-Ndoshta kam, e ndoshta s’kam!, – u përgjigjet ai shkurt, kurse në kokë i lindin edhe shumë dyshime.

Ai, vërtet, kishte dëgjuar se këndej e kishin sjellë nga Maqedonia qysh si fëmijë, mirëpo kur s’e ka ditur se paska vëlla.

Atëherë, Ismaili merr fjalë:
-Unë, në të vërtetë, s’jam vëllai i tij! Vëllai i tij i vërtetë është Qemali, në Maqedoni, – thotë Ismaili dhe vëren se si njerëzit e kësaj shtëpie mbesin edhe më të habitur.

Pastaj vazhdon:
-Mora këtë rrugë kur dëgjova se vëllai im prej nëne, Qemali, paska një vëlla të gjakut në Turqi, Jusufin. U përbetova që do ta gjej…

Ismaili duhej të kthehej, e priste puna në Gjermani. Merren vesh që një vit më vonë, kur ta marrë pushimin, sërish të vijë këndej për ta marrë Jusufin mysafir në Tetovë, që të piqet me të vëllanë, Qemalin. I merr atij edhe disa fotografi.

Në rrugë për në Gjermani, Ismaili qëndron disa ditë në Tetovë. Qemalit ia tregon hollësisht përjetimet nga takimi në Turqi. Ia tregon edhe fotografinë e vëllait, Jusufit, të cilin s’e kishte parë kurrë në jetën në tij. Në sytë e Qemalit shihet triumfi i njeriut fatlumë, por…!

-Derisa ta shoh me sytë e mi, s’besoj dot…!, kishte thënë Qemali.    /Mediafokus.info