Vendimi i qeverisë nuk përmend ‘orë policore’
Vendimi i qeverisë për masat e reja, është shumë i paqartë. Nisur nga kjo, ndodhë që ai edhe të zbatohet gabimisht.
Ndonëse në vendim nuk përmendet askund ‘ora policore’, policia e Kosovës në Gjilan, masat e reja i ka kuptuar si ‘orë policore’ dhe kësisoj ka filluar t`i zbatojë ato.
Në sqarimet shtesë, ministri Zemaj ka thënë se ‘‘masat e sotme nuk janë bllokim i shtetit, por lëvizje e kontrolluar me rigorozitet, pra, nuk nënkupton ndalim të lëvizjes së qytetarëve…”.
Policët e këtij regjioni i kanë ndaluar sot gjatë ditës qytetarët e Gjilanit, duke lëvizur brenda territorit të kësaj komune, duke iu thënë madje se mund t`i kthejnë mbrapsht, për të mos i lënë të shkojnë as në shtëpitë e tyre, për shkak se kanë dalë në ‘orë policore’
I kontaktuar nga mediafokus.info në lidhje me këtë, zëdhënësi i policisë, togeri Ismet Hashani, ka thënë se ndalesa nuk ka të bëjë me lëvizjen brenda territorit të komunës së Gjilanit.
Qytetaret e komunave që janë në karantinë, siç është edhe Gjilani njëra ndër to, nuk mund të lëvizin jashtë saj, në ndonjë komunë tjetër, sikurse nuk mund të hyjnë në Gjilan qytetarë nga komunat tjera.
Nëse qenka ‘orë policore’, atëherë për kë punojnë furrat, barnatoret, pompat e derivateve, shitoret dhe marketet e vogla. Kujt i shërbejnë ato, nëse qytetarët nuk lejohen të dalin prej shtëpisë.
Për hirë të korrektësisë, ne po sjellin vendimin e qeverisë për komunën e Gjilanit, ku nuk mund ta gjesh askund formulimin ‘orë policore’, siç thirret policia kur i ndalon qytetarët.
Sidoqoftë, vendimi është i paqartë dhe faji për këtë bie mbi qeverinë që lë hapësirë për situata, interpretime e lexime të ndryshme të të njëjtit vendim.
Por, e qartë është se vendimi thotë ‘‘…në komunën e Gjilanit…’’ dhe jo në qytetin e Gjilanit./Mediafokus.info/


