Vendosen para KEK-ut fotografitë e punëtorëve të vdekur, kërkohen kushte të sigurta për punë

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka zhvilluar aksion simbolik para zyrave të KEK-ut duke vendosur edhe fotografitë e katër punëtorëve që humbën jetën në vendin e punës. Me anë të këtij aksioni u kërkuan kushte më të mira e të sigurta për punëtorët.

Brenda një muaji, tre punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës humbën jetën në vendin e punës.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari ka theksuar se punëtorët në Kosovë nuk kanë mbrojtjen e duhur ligjore.

“Ne sot si sindikatë e KEK-ut, me një aksion simbolik para drejtorisë dhe menaxhmentit të KEK-ut, vendosëm disa fotografi të kolegëve tanë që kanë humbur jetën në vendin e punës. Edhe njëherë, të gjitha familjeve u shprehim ngushëllime, kolegëve të korporatës dhe të gjithë atyre që i kanë njohur këta djem punëtorë, këta djem të mirë. Kaq është çka mundem me thënë për këtë moment. Nesër, në ora 8:00, në tri divizionet do të kemi protestë solidarizuese me të gjitha familjet e punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës”, ka thënë Jashari.