Vërshime gjithandej, në disa vende të rajonit ka edhe viktima
Disa komuna të Kosovës po përballen me vërshime që nga dje dhe sidomos nga mëngjesi i sotëm pas reshjeve të fundit, derisa Komuna e Skënderajt ka shpallur tashmë gjendje të jashtëzakonshme.
Me vërshime po përballen edhe Vushtrria, Klina, Deçani si dhe rajoni i Pejës dhe i Prizrenit.
Dy meshkuj janë mbytur në Novi Pazar, në lagjen Qerimxhinica pasi ranë në lumin Tërnavica, raporton trtballkan.
Shefi i sektorit për situata të jashtëzakonshme në Novi Pazar, Ismail Dupljak, tha se situata në Novi Pazar është kritike.
“Ndodhi tragjedi e madhe, dy persona u mbytën. Këto janë informacione jozyrtare, por duket të jetë e saktë. Ata gjendeshin në breg, dheu u shemb dhe ranë në ujë”, tha Dupljak.
Reshjet intensive të shiut shkaktuan vërshime në Sarajevë, ku një femër e re u mbyt gjatë natës në lumin Miljackë, njoftoi shërbimi për shpëtim.
Edhe Shqipëria është përfshirë nga moti i keq, ku reshjet e dendura të shiut dhe era e fortë kanë shkaktuar probleme në disa qytete të vendit, ndërkohë situata më problematike është në qarqet e Shkodrës dhe të Lezhës.

