Veshja e burrave shqiptarë të Medvegjës
Prof. Rexhep Abazi
Komuna e Medvegjës ka një histori të veçantë, mbase edhe të dhimbshme, brenda këtyre 142 viteve prej kurë mbeti e vetmuar, brenda kufijve të Serbisë, atëbotë të lashtë kur Serbia bëri spastrimin etnik të popullatës shqiptare nga Sanxhaku i Nishit, Leskocit, Kurshumlisë, Prokupjes, Leskocit, Vrajës e tj.duke i dëbuar shqipëtarët, sipas studiuesit prof. Dr. Sabit Ukës, nga 740 vendbanime shqiptare.
Që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme, në Medvegjë mbetën të jetonin shqiptarët vetëm në dymbëdhjetë vendbanime: Sfircë, Starabajë, Gërbac, Ramabajë, Siarinë, Bajë e Siarinës, Tupallë, Kapit, Gjylekarë, Dediq, Llapashticë, Medvegjë. Në 30 vendbanimet e tjera të kësaj komune, të cilat deri atëherë ishin vetëm me banorë shqiptarë, u sollën kolonistë serbë e malazez dhe aty jetojnë edhe sot e kësaj dite.
Pse ndodhi kjo me shqiptarët e këtyre trojeve, të cilët u shpërndanë në të katër anët e botës as nuk dha kush përgjigje, as nuk pati përgjegjësi ligjore e morale, për ata që e shkaktuan këtë golgotë të popullatës shqiptare.
Rruga e të dëbuarve ishte e rëndë dhe e larë me gjak, madje edhe me gjakun e fëmijëve dhe foshnjave në djep.
Sepse koha në të cilën ata u dëbuan nga trojet dhe shtëpitë e tyre ishte dimri i viteve 1877/1878, i mbajtur mend për nga acari dhe të ftohtit i cili i ngrinte njerëzit që i nxinte nata në rrugë.
Po sido që të jetë, besoj se një ditë, me këto gjëra do të merret historia dhe historianët, e qe besa edhe drejtësia, sepse këto krime ndaj njerëzimit nuk falen.
Por t’i kthehemi temës për të cilën e fillova këtë ekspoze.
Duke u shkëputur plotësisht nga trungu shqiptar, pasi Serbia dhe Turqia e atëhershme vunë kufij të rinj duke ndarë tokat shqiptare me mezhde të reja, shqiptarët e Medvegjës mbetën nën ingerencat e Serbisë.
Siç kishin treguar të vjetrit e këtyre vendeve, e që nuk harrohet kurrë, Serbia lëshoi zullum të madh mbi shqiptarët e këtyre dymbëdhjetë vendbanimeve të mbetura me shqiptarë.
Nga njëra anë zullumi vinte prej vet shtetit, nëpërmes organeve dhe aparatit të tij, e në anën tjetër edhe nga kolonistët e ardhur serb e malazias, të cilëve shteti u kishte lënë “duart e lira” që të bënin zullum ndaj shqiptarëve.
Mirëpo shqiptarët e këtyre trevave, në mënyrën më stoike dhe dinjitoze e burrërore u bënë ballë të gjitha sfidave, zullumeve, vrasjeve e dhunës në vazhdimësi, duke qëndruar në vatrat e veta denbabaden shqiptare.
Ata bënin një jetë të vështirë fshatare në të gjitha kohërat dhe në të gjitha regjimet e Serbisë, sepse asnjë ndryshim i pushteteve të Serbisë nuk u sillte gjë të mirë.
Jetonin kryesisht në fshatra dhe merreshin me punimin e tokës dhe ruajtjen e bagëtisë. Kishin në pronësi toka të mira të cilat i ushqenin me bukën e gojës.
Vendbanimet ishin të tipit të shpërndarë, kodër më kodër, me nga dy tri shtëpi – familje në lagje. Nuk kishte vendbanime të grumbulluara apo të urbanizuara, kështu gjithmonë këtu jeta ishte e vështirësuar.
Kryesisht këtu jetohej nga puna e krahut dhe prej viti në vit. Çështja kryesore ishte të sigurohej buka prej të korrave në të korra.
Secila familje përveç me bujqësi merrej edhe me blegtori dhe me kultivimin e pemëve.
Edhe në ditët e sotme janë ruajtur ca sorte të mira të dardhave: dardha bajre, ujce, pike mjaltë apo varoshe, kakiçke, tërhe, gungëqe etj, mollët: vjeshtore, rrypçe, prishtinçe, molla e mixhës Qerim etj.
Ajo që është më e rëndësishme se këta shqiptarë kishin të zhvilluar edhe shumë artizanale me të cilat merreshin brez pas brezi.
Art në vete ishte punimi i rrobave dhe veshmbathjes. Rrobat punoheshin me kërrabëza dhe në vek, zakonisht nga leshi i deleve, pambuku i blerë dhe konopi i cili mbillej në arat e secilës familje.
Rrobat punoheshin për të gjithë anëtarët e familjes, pra për fëmijë e të rritur, për burra e për gra.
Kësaj here do të shohim se cilat ishin dhe si dukeshin veshjet e burrave shqiptarë në komunën e Medvegjës.
Me nocionin burrë në këtë trevë emërohej mashkulli i moshës madhore ( nga vitet njëzet e deri në fund të jetës).
Kishte edhe një kategorizim tjetër i meshkujve: Djalë, burrë, plak
Me emërtimin djalë nënkuptohej mashkulli në djep e deri në moshën njëzet vjeçare.
Me emërtimin burrë nënkuptohej mashkulli i moshës njëzet deri në vitet e gjashtëdhjeta.
Me emërtimin plak, nënkuptohej mashkulli i moshës mbi gjashtëdhjetë vjeç.
Sipas këtij kategorizimi punoheshin dhe barteshin edhe rrobat.
VESHJA E DJEMVE
Atë e përbënin:
1. Plisi i bardhë i punuar nga leshi i deleve.
2. Shalli e punuar nga leshi i deleve me ngjyrë të bardhë,
3. Këmisha e bardhë, e punuar nga pambuku, por edhe nga konopi, në familjet me situatë më të brishtë ekonomike
4. Jeleku i punuar me kërrabëza, nga leshi i deleve, me ngjyrë të bardhë, ose i larmë (me shumë ngjyra),
5. Shoka e larme, e punuar në vek, me shumë ngjyra, ku dominonte ngjyra e kuqe, ngjyra e zezë dhe ngjyra e bardhë,
6. Danet, apo tlinat, nga pëlhura e pambukut e punuar në vek, për ata më të pasur, kurse ato të punuara në vek nga pëlhura e konopit, për ata më të varfër,
7. Tirqit galana, me gajtanë të zi,
8. Xhamadani galan, i punuar në vek nga leshi i deleve,
9. Çorapet e bardha, të punuara me kërrabëza, nga leshi i deleve,
10. Opingat e punuara nga lëkura e lopës.
VESHJA E BURRAVE
Veshjen e burrave e përbënin:
1. Plisi i bardhë nga leshi i deles
2. Plisi i bardhë i punuar nga leshi i devesë, për ata më të pasurit
3. Shalli e punuar nga leshi i deles, me kërrabëza, ngjyrë e kuqe
4. Marama, e punuar në vek, nga pambuku, ekskluzivisht me ngjyrë të bardhë
5. Këmisha e bardhë nga pëlhura e pambukut e punuar në vek, tek ata më të pasur, kurse ajo e punuar nga pëlhura e konopit, për ata më të varfër
6. Jeleku i punuar nga leshi i deles, me kërrabëza, ngjyrë të kuqe ose të zezë dhe ai i qepur nga zhguni i punuar në vek nga leshi i deleve
7. Shoka e larme me shumë ngjyra, e punuar në vek, nga leshi i deleve
8. Danet ose tlinat, të punuara nga pëlhura e pambukut, për ata me gjendje më të mirë ekonomike, dhe ato të punuara nga pëlhura e konopit, për ata me gjendje më të dobët ekonomike
9. Tirqit galana, të punuar nga leshi i deleve dhe të dekoruar me gajtanë, tek të pasurit me më shumë palë gajtanë, e tek të varfrit me më pak gajtanë
10. Xhamadani galan, i punuar nga zhguni i leshit të deleve
11. Koporani galan i punuar nga zhguni i leshit të deleve
12. Çorapet e punuara me kërrabëza nga leshi i deles, ngjyrë të bardhë, apo të zezë me ca lara të kuqe e të bardha
13. Opinga të punuara nga lëkura e lopës, që lidheshin me toja të punuara nga konopi
14. Këpucët, ata që ishin me gjendje më të mirë kishin edhe një palë këpucë të blera tek këpucëtari, shumë të rrallë.
VESHJA E PLEQVE
Atë e përbënin:
1. Plisi i bardhë i punuar nga leshi i deles
2. Shalli e zezë, e punuar nga leshi i deles, me kërrabëza
3. Këmisha e punuar në vek, nga pëlhura e pambukut ose e konopit
4. Jeleku i punuar me kërrabëza nga leshi i deles, me ngjyrë të zezë, ose galan, apo i punuar edhe nga zhguni i bërë në vek nga leshi i deles
5. Shoka e punuar në vek nga leshi i deleve, me ngjyrë të kuqe dhe të zezë
6. Danet nga pëlhura e pambukut pse e konopit, ngjyrë e bardhë, e punuar në vek
7. Tirqit galana apo të zi, me gajtanë, të punuar në vek nga leshi i deles
8. Xhamadani galan apo i zi, i punuar nga leshi i deleve
9. Çorapet e punuara me kërrabëza, nga leshi i deles, ngjyrë e zezë
10. Opingat e punuara nga lëkura e lopës, të lidhura me toja të konopit,
Të gjitha këto prodhime të veshjeve të djemve, të burrave dhe të pleqve, punoheshin në shtëpi dhe ekskluzivisht nga dora e gruas dhe vajzës shqiptare. Nuk ka pasur vajzë dhe grua në këto troje që nuk ka ditur dhe nuk ka punuar me kërrabëza dhe në vek. Këtë mjeshtri, apo mund ta quajmë edhe art në vete, vajzat shqiptare fillonin ta mësonin që nga mosha e re dhe e punonin gjatë tërë jetës.
Nuk ka pasur grua shqiptare që nuk ka ditur të tjerrë leshin e deles, të thurë me kërrabëza dhe të punoj në vek, sepse kjo ishte e vetmja që e siguronte veshmbathjen edhe për vete edhe për fëmijët edhe për burrin.
Burrat merreshin me qepjen e tirqve dhe të xhamadanëve dhe në këto anë quheshin terzinj. Nuk ka pasur shumë në këtë rajon, sepse nuk kishte shumë banorë, por gjithmonë kjo zeje trashëgohej nga brezi në brez familjarisht.
Përveç veshjes burri shqiptar i trevës së Medvegjes, kuptohet, kjo varej nga gjendja e tij ekonomike, mbante edhe orë xhepi, të varur në qafë me qostekë karakteristikë të argjendtit, por kjo ishte më e rrallë.
Ishte edhe një veti karakteristike tek burrat që të mbanin armë, në rastet më të shpeshta revole, apo siç e quanin në këto anë allti, e disa edhe pushkë të gjata, në të kaluarën martina, e në kohët më të reja pushkë e tipit mauzer, por edhe pushkë gjuetie.
Këto armë e kompletonin nocionin e burrit dhe kryesisht përdoreshin në dasma e gëzime.
Për krejt këtë që e thamë deri më tani, mund të thuhet se i takon të kaluarës historike të kësaj treve, sepse fatkeqësisht, këto rroba dhe këto veshje tani më nuk i mbanë askush, përveç ndonjë grup apo shoqëri kulturo-artistike me rastin e ndonjë programi apo feste.
Plisin e bardhë e bartin një numër i vogël entuziastësh e që mund të numërohen në gishtërinjtë e një dore, kurse për tirqit, shokën e të tjera as që bëhet më fjalë.
Tani më në këto treva nuk ruhen delet, nuk ka grua që e përpunon leshin e deles. Të punojnë me kërrabëza janë të rralla gratë e reja, e mendoj se nuk ka vajzë që i merr kërrabëzat në dorë.
Një pjesë e madhe nuk e dinë se çka është veku, i cili ishte një makinë e pazëvendësueshme për familjen shqiptare.
Nuk kishte shtëpi që nuk e kishte ate. Të gjithë meshkujt dinin ta punonin vekun nga druri, e të gjitha gratë dinin të punonin prodhimet e përsosura në vek e me kërrabëza. Por sot kjo më nuk ekziston.
Veshja shqiptare tani më është e konfeksionit, e amerikanëve, e italianëve, e kinezëve, e e kujt jo tjetër, është bërë veshje internacionale. Mbase, sikur edhe tek të gjithë popujt tjerë të Evropës dhe të botës nuk ka më veshje nacionale apo kombëtare, nuk ka më artizanale dhe prodhime shtëpiake që punoheshin me duart e vajzave, motrave dhe nënave tona.
Çdo familje shqiptare e komunës së Medvegjës, por jo vetëm ato shqiptare, ruanin bagëti, sidomos dele. Ka pasur më së paku pesë e dreri më njëqind krerë dele për familje. Nuk kishte familje që nuk ruante asnjë krerë deleje.
SI PËRPUNOHEJ LESHI I DELEVE
Delet qetheshin në fillimin e muajit maj, zakonisht pas ditës së Shëngjergjit (6 maj), atëherë kur fillonte të nxehej koha.
Leshi i deles, i cili ishte me ngjyrë natyrore: i bardhë, i zi dhe i murrmë, lahej, shprishej dhe lënurej. Sasitë më të vogla lënureshin në shtëpi me veglat e thjeshta të quajtura KËRHANË, kurse në sasi më të mëdha lënurja e leshit bëhej në një lloj mini fabrike që quhej LËNURËSE.
Këso lloj makine nuk ka patur në pronësi të shqiptarëve, pas dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877/78.
Pasi që bëhej lënurja e leshit, në shtëpitë shqiptare bëhej tjerrja e tij sipas destinimit për çfarë nevoje dedikohej, dmth. çfarë dëshirohej të punohej nga ai.
TJERRJA E LESHIT TË DELEVE
Tjerrja e leshit të deleve bëhej me këto vegla: me bosht, me furkë dhe me agërshak. Këtë punë e kryenin femrat shqiptare.
Boshti ishte një vegël e punuar nga druri. Atë e punonin vet në shtëpi, por kishte edhe mjeshtër të specializuar për këtë lloj vegle të vogël.
Furka po kështu ishte një vegël e vogël e punuar nga druri që punohej nga meshkujt e shtëpisë. Kishte dy forma: e rrafshët dhe gaforre.
Agërshaku ishte një pjesë e gurit apo më së shumti e qeramidhes, e rrumbullakët e shpuar në mes e që vihej në pjesën e poshtme të boshtit për tu rrotulluar ai më mirë dhe më stabil.
Gjërat më të thjeshta: çorapet, shallet, xhemperët, jelekët, etj. punoheshin menjëherë pasi që tirrej leshi. Gjërat e tjera që kërkonin punë më të ndërlikuar dhe proçes tjetër të punës punoheshin në mjetet e thjeshta por shumë praktike.
Pjesa më e madhe e punimeve bëheshin në vek
VEKU
Ishte një mjet i punuar në shtëpi. Bëhej nga druri, lloji i drurit nuk ishte me rëndësi, varej se çfar kishte në disponim.
Veku kishte këto pjesë:
– Bollëzat
– Shulat
– Burdilat
– Dërrasat e vekut
– Nërskamcat
– Shpatën
– Drugëzën
– Fytëzat.
Në vek punoheshin të gjitha llojet e pëlhurave dhe zhguni.
Që të punohej diçka në vek duhej bërë kjo ecuri apo proçedurë që ishte goxha e komplikuar dhe e dinin vetëm femrat me eksperiencë të duhur:
1. Endja
2. Mbulimi
3. Vendosja në shula
4. Vendosja në liqë
5. Vendosja në shpatë.
Pas këtyre operacioneve punuese mund të fillohej punimi i asaj që dëshirohej.
Po cekim se në vek punoheshin pëlhurat nga leshi i deleve, nga konopi dhe nga pambuku.
Në veçanti punoheshin edhe të ashtuquajturit dyshekët për mbulojë e shtroj shtrati, maramat të cilat i mbanin djemtë e burrat, por edhe vajzat shqiptare.
Punimet më karakteristike të bëra nga veku shqiptar ishin qilimat, të zbukuruar me lloj-lloj dizajnësh e modelesh të cilat ruheshin e përcilleshin prej familjeje në familje, prej brezi në brez, e që këto punime janë ruajtur edhe deri në ditët e sotme në disa familje entuziaste shqiptare.
Pra puna kryesore, apo elementare për të punuar veshmbathjen dhe gjërat e tjera për nevojat jetësore në familjet shqiptare bëhej me mjetet më të thjeshta të punuara nga dora e tyre e që ishin: furka, kërrabëzat dhe veku. Gjilpëra ishte mjeti me të cilën më tutje punoheshin prodhimet dhe mirëmbaheshin me te.
MJESHTRIA E VEÇANTË-PUNIMI I TIRQVE
Nga leshi i deleve bëhej pëlhura e quajtur ZHGUNI.
Zhguni punohej nga leshi i deleve. Mund të kishte ngjyrë të zezë, të bardhë, apo galanë. Më së shumti janë punuar zhgunat me ngjyrë galanë.
Pasi që bëhej pëlhura në vek, atëherë duhej dërguar në përpunim të mëtejmë për t’u “SHKELUR”. Shkelja e zhgunave bëhej në një lloj mini fabrike të quajtur “VALAVICË”, një lloj makine që punonte me ujë, e përbërë nga në çark me çekan që e rrihnin pëlhurën e leshit deri sa bëhej e trashë dhe shumë e qëndrueshme.
Nga kjo pëlhurë e quajtur zhgun pastaj punoheshin tirqit dhe xhamadanët, si veshja më karakteristike shqiptare e këtyre trojeve.
Mjeshtrit që i punonin tirqit dhe xhamadanët quheshin terzi dhe nuk ishin të shumtë në këtë rajon, sepse edhe nuk ishte mjeshtri e lehtë kjo.
PËRFUNDIM
Në tërë këtë punim u bë fjalë për një periudhë kohore e cila i takon të kaluarës historike të një treve të banuar në vazhdimësi me shqiptarë. Por, edhe pse kjo trevë edhe tani banohet me shqiptarë, për gjërat për të cilat folëm deri më tani, nuk mund të thuhet se i kemi edhe sot.
Fatkeqësisht, apo fatmirësisht nuk di se cilën ta them, por veshja për të cilën u fol deri më tani dhe puna që bëhej dikur, nuk ekziston më, apo fare pak, pjesërisht.
Tani më shumë rrallë, vetëm femrat e moshuara dinë të lënurin leshin e deleve, ta tjerrin atë, e të rralla janë ato që dinë të bëjnë punë në vek apo me kërrabëza.
Ndoshta do ishte mirë që të shpëtohet kjo lloj zejtarie, e cila dikur ishte më se e nevojshme për jetën e njerëzve, por në ditët e sotme është shumë interesante, sepse prodhimet e veshmbathjeve në mënyrë manuale me veglat dhe mjetet më të thjeshta për kohën e sotme janë edhe atraksione.
Sidomos është e veçantë veshja e femrës shqiptare të Medvegjës, e cila nuk gjendet në trevat e tjera shqiptare, e për të cilën kamë shkruar para ca vitesh./mediafokus.info




