Veteranët e Dritës përfaqësojnë një epokë të veçantë të futbollit gjilanas
Ismajl Veliu
Veteranët e KF. Drita përfaqësojnë një epokë të veçantë të futbollit gjilanas, një kohë kur sporti kishte shpirt tjetër dhe kur fanella e klubit mbrohej me krenari të madhe.
Ata ishin njerëz të thjeshtë, punëtorë e sportdashës, që pas obligimeve të përditshme gjenin forcë dhe vullnet për të stërvitur e për të luajtur për qytetin e tyre.
Për ta, Drita nuk ishte vetëm klub futbolli, por pjesë e jetës dhe krenarisë së Gjilanit.
Në stadiumin e qytetit janë zhvilluar shumë ndeshje të paharruara, ku veteranët e Dritës kanë dhuruar emocione të mëdha për tifozët.
Tribunat mbusheshin me sportdashës, të rinj e të moshuar, që prisnin me padurim çdo fundjavë për të parë ekipin e zemrës.
Brohoritjet, duartrokitjet dhe gëzimi pas fitoreve kanë mbetur kujtime të paharrueshme për qytetin.
Në ato kohë futbolli kishte më shumë afërsi me njerëzit dhe lojtarët respektoheshin shumë nga qytetarët.
Shumë veteranë të Dritës sakrifikuan shumë për klubin, duke luajtur edhe në kushte jo të mira, por asnjëherë nuk iu nda zemra nga futbolli dhe fanella bardh e kaltër.
Ata krijuan një frymë uniteti dhe sportdashurie që vazhdoi ndër breza.
Shumë fëmijë të asaj kohe u frymëzuan nga këta futbollistë dhe ëndërronin një ditë të vishnin fanellën e Dritës.
Sot, kur shihen fotografitë e vjetra të veteranëve, rikthehen kujtime të bukura dhe nostalgji për një kohë që la gjurmë të thella në historinë e qytetit.
Disa prej tyre nuk janë më në mesin tonë, por kujtimi dhe respekti për ta jeton ende.
Ata mbeten pjesë e pavdekshme e historisë sportive të Gjilanit.
Zoti i faltë me parajsë të gjithë ata veteranë që kanë ndërruar jetë dhe i shpërbleftë për çdo emocion e krenari që ia dhanë qytetit dhe klubit të tyre.
Veteranët e Dritës janë pasuria më e çmuar e memories sportive të Gjilanit.
Ata janë simbol i besnikërisë, i sakrificës dhe i dashurisë së sinqertë për sportin.
Emrat dhe veprat e tyre do të kujtohen gjithmonë me respekt nga tifozët dhe nga çdo gjeneratë që e do Dritën dhe historinë e saj.

