Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është denoncuar nga pronari i banesës, i cili e ka njoftuar Policinë se dikush i ka vjedhur nga banesa 35 mijë dollarë amerikanë që i kishte lënë në një dollap, por që nuk i gjeti sot kur e kontrolloi vendin.

Këtë herë vjedhja u krye më lehtë, pasi hajni apo hajnat nuk depërtuan me forcë, por hynë me çelës në banesë, çka i ka ngritur dyshime viktimës për personat te të cilët mund t’i kenë vjedhur paratë.

Si rezultat i denoncimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të bërë ekzaminimet e nevojshme, ndërkohë që viktima ka përshkruar në detaje se si e gjeti lokalin kur e hapi.

Sinjali mëson se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.