Vitia, aty ku u identifikua rasti i pare me virusin COVID
Dr. Vjollca Kadolli
Sot u bë një vit nga identifikimi i rastit të parë me virusin COVID-19 në Kosovë, i cili ishte nga fshati Stubëll, Komuna e Vitisë.
Kaloi një vit i mbushur me panik, stres, karantinë në fillimet e saj, pastaj me mund, lodhje, përkushtim, profesionalizëm, empati ndaj pacientëve, dhimbje e humanizëm.
Plot një vit u sfiduam në mënyra të ndryshme, pasiqë kemi para vetes një sëmundje, e cila ishte shumë e panjohur për të gjithë, përfshirë edhe punëtorët shëndetësorë.
Përkundër të panjohurave rreth virusit, ne si QKMF në Viti dhe Komunë e Vitisë u munduam me aq sa ditëm dhe mundëm ta mbajmë situatën nën kontrollë, si në aspektin shëndetësorë, ashtu edhe social e psikologjik.
Për këtë sot shfrytëzoj rastin që në cilësi të menaxherës së QKMF-së në Viti, të falenderoj mjekët, infermierët, punëtorët teknikë, punëtorët e karitasit dhe të gjithë punëtorët tjerë të angazhuar në QKMF për punën e madhe që është realizuar gjatë këtij viti në ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore për pacientët.
Faleminderit që nuk u dorëzuat asnjëherë.
Falënderim edhe për institucionet komunale dhe shtetërore, shtabin komunal, inspektorët, Ministrinë e Shêndetësisë dhe IKSHP-në, IRSHP-në dhe spitalin e Gjilanit, QKUK-në dhe spitalin e Ferizajit, policinë, zjarrfikësit, Kryqin e Kuq të Vitisë, mediat lokale dhe vendore, donatorët vendor dhe nga jashtë, diasporën tonë që na kanë përkrahur në kohën më të vështirë.
Një falënderim i veçantë në këtë kohë për QYTETARËT vitias, të cilët përpos përkrahjes morale ndaj nesh, na kanë mirëkuptuar për shkak të situatës pandemike edhe kur nuk kemi mund të ju ofrojmë shërbimin e duhur.
Ne si komunë dhe shëndetësi që nga rasti i parë, i kemi ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të parandaluar përhapjen e këtij virusi dhe trajtimin e personave të identifikuar dhe tê dyshuar.
Sipas udhëzimeve nga OBSH dhe MSh jemi pajisur masa mbrojtëse, kemi ndarê hapësira për trajtim të pacientëve me COVID, kemi liruar pacientët e dyshuar dhe konfirmuar nga pagesa në QKMF, si dhe vazhdimisht kemi ofruar mbështetje në shtëpi, tek pacientët që kanë pasē vështirësi të vijnë në QKMF.
Që nga 13 marsi 2020 deri sot me 13.03.2021 në Viti janë konfirmuar 1268 raste me COVID-19, 1106 pacientë janë shëruar, 106 raste janë aktive, ndërsa fatkeqësisht 56 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me virus.
Kemi humbur edhe dy punëtorë të QKMF-së, dr.Fadil Zukën dhe z. Feti Bajramin- vozitës hemodialize.
Vitia ka humbur edhe një mjek dr. Feti Hetemin, i cili ka kontribuar në shëndetësi kohë të gjatë.
Ju shpreh ngushëllime të gjitha familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre nga ky virus, ndërsa të sëmurëve shërim të shpejtë.
Beteja me virusin po vazhdon, prandaj na duhet akoma përkrahja e qytetarëve dhe institucioneve.
Bashkë mund ta mundim virusin!
Sa më shumë zbatojmë masat, aq më shpejt i kthehemi normalitetit.
……………………………………………………………………
(Autorja eshte Drejtoreshë e QKMF-së në Viti)

