Vitia kërkon hapjen e pikës kufitare në Debëlldeh, sipas marrëveshjes së vitit 2010
Vitia kërkon zbatimin e marrëveshjes për hapjen e pikës kufitare me Maqedoninë e Veriut në Debëlldeh.
Autoritetet komunale të Vitisë i kanë dërguar sot një kërkesë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, përkatësisht Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, nëpërmjet së cilës kanë kërkuar që të shqyrtohet mundësia e jetësimit të marrëveshjes ndërqeveritare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, për hapjen e pikës kufitare në fshatin Debellde.
Implementimi i kësaj marrëveshje, posaqërisht hapja e pikës kufitare për lëvizjen e qarkullimit të qytetarëve nga të dyja anët e kufirit, është e drejtë themelore dhe për shkak të konfiguracionit, konsiderohet se është e domosdoshme hapja e kësaj pike.
Ndonëse ishte arritur marrëveshja mes të dyja vendeve, megjithatë kjo ka mbetur e pa zbatueshme për vite me radhë.
“Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2010, mes ish-ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi dhe ish-ministres së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Gordana Jankullovska, për hapjen e pikës kufitare në fshatin Debelldeh të Vitisë, si nevojë e qarkullimit të banorëve të zonave nga të dyja anët e kufirit.
Bazuar në nenin 5, paragrafi 1 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, liria e lëvizjes paraqet një element kyç dhe është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e kryetarit të Vitisë, Sokol Haliti, drejtuar Qeverisë së Kosovës.